Vendosni fjalën kyçe....

Implikimi me Epstein, i hiqet imuniteti ish-Sekretarit të Përgjithshëm të KE-së Jagland


Organi më i lartë evropian për të drejtat e njeriut ka vendosur t’i heqë imunitetin ish-kryeministrit norvegjez dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, pas një kërkese zyrtare nga autoritetet norvegjeze që po hetojnë lidhjet e tij me shkelësin e dënuar seksual Jeffrey Epstein.

Vendimi u mor unanimisht të mërkurën në mëngjes nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, organi statutor vendimmarrës i institucionit. Në një njoftim zyrtar, KiE bëri të ditur se, “me kërkesë të autoriteteve norvegjeze”, është hequr imuniteti procedural që Jagland gëzonte në cilësinë e tij si ish-Sekretar i Përgjithshëm, duke i hapur rrugë procedurave ligjore ndaj tij.

Sipas Këshillit të Evropës, vendimi vjen pas “zbulimeve mediatike që nga nëntori 2025”, të cilat e lidhnin Jagland me Epstein. Ky i fundit, sipas prokurorëve amerikanë, kishte ngritur një rrjet të gjerë shfrytëzimi seksual të të miturve dhe kishte mbajtur korrespondencë të shpeshtë me figura të fuqishme në Evropë.

Më herët, Politico raportoi se në vitin 2018 Epstein kishte kontaktuar Jaglandin — i cili përveç drejtimit të KiE-së ka mbajtur edhe postin e kryeministrit të Norvegjisë — duke i kërkuar ndihmë për të krijuar një lidhje me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Jagland i ishte përgjigjur se do të takohej me një nga asistentët e Lavrovit dhe do të sugjeronte kontaktin me Epstein, por mbetet e paqartë nëse ndonjë takim konkret është zhvilluar.

Emri i Jagland është përmendur gjithashtu disa herë në një seri dokumentesh të publikuara në fund të janarit nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, që lidhen me çështjen Epstein.

Kërkesa për heqjen e imunitetit u paraqit nga Økokrim, agjencia norvegjeze kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, e cila po zhvillon një hetim për korrupsion të rënduar. Me vendimin e KiE-së, Jagland nuk gëzon më mbrojtje nga ndjekja penale.

Avokati i tij, Anders Brosveet, ka deklaruar më herët për mediat norvegjeze se klienti i tij e mirëpret hetimin. “Ne po presim me qetësi rezultatin. Mbi të gjitha, është në interes të Jagland që të ketë një sqarim zyrtar nga Økokrim, në vend që hetimet të zhvillohen nga ‘lukunia e shtypit’ përmes spekulimeve”, është shprehur ai për VG.

Në dokumentet e publikuara lidhur me Epstein janë përmendur edhe figura të tjera të njohura norvegjeze, përfshirë Princeshën e Kurorës Mette-Marit si dhe presidentin e Forumit Ekonomik Botëror dhe ish-ministrin e Jashtëm, Borge Brende.