
Në vijim të deklaratave përmbyllëse, avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiç, reagoi ashpër ndaj kërkesës së Zyrës së Prokurorit Special që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vite burg secili. Sipas tij, një dënim i tillë do të përkthehej praktikisht në burgim të përjetshëm.
“Ky është një parashtrim i pabesueshëm nga një zyrë që e di se Dhomat dhe vetë Zyra e Prokurorit Special nuk do ekzistonin po të mos ishte për të akuzuarin”, deklaroi Mishetiç, duke e cilësuar kërkesën si të papranueshme.
Ai shtoi se kërkesa për një total prej 180 vitesh burg për katër të pandehurit nuk mbështetet as në praktikat e mëparshme gjyqësore dhe as në realitetin e kësaj çështjeje. Sipas mbrojtjes, Prokuroria nuk ka arritur të provojë akuzat ndaj Thaçit, shkruan REL.
“Zyra e Prokurorit Special nuk ka vërtetuar akuzat kundër Thaçit dhe ai duhet të shpallet i pafajshëm, të lirohet dhe të kthehet pranë familjes dhe në vendin e tij. Është e pazakontë që të bëjmë parashtrime për dënimin, kur mbrojtja mban qëndrimin se i vetmi rezultat i drejtë është lirimi dhe shpallja i pafajshëm”, përfundoi Mishetiç.
Pas përfundimit të fjalës së mbrojtjes për Hashim Thaçin, deklaratat përmbyllëse vijuan me ekipin mbrojtës të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli. Avokati i tij, Rodney Dixon, e cilësoi çështjen ndaj Veselit si një ndjekje të kotë dhe të pabazë, duke e krahasuar me “përpjekjen për të gjetur njëbrirëshin”.
Sipas Dixon, prej më shumë se pesë vitesh nga ngritja e aktakuzës — madje që prej vitit 2015, kur u themeluan Dhomat e Specializuara dhe nisën hetimet — Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar prova që, sipas tij, nuk ekzistojnë. “ZPS-ja ka gjurmuar diçka që nuk ekziston, duke u përpjekur të gjejë prova për përfshirjen e Kadri Veselit në veprimtari penale”, u shpreh ai, duke theksuar se rasti ndaj klientit të tij është unik pikërisht sepse, sipas mbrojtjes, mungon çdo provë që ai të ketë kryer ndonjë vepër penale.