Vendosni fjalën kyçe....

Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës


Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e dhjetë, duke marrë 66 vota për, 44 kundër dhe 8 abstenime. Ndryshe nga legjislatura e nëntë, kur nuk arriti të sigurojë shumicën pas disa tentimesh, këtë herë ajo u zgjodh në raundin e parë të votimit.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Haxhiu ishte gruaja më e votuar për deputete, me mbi 174 mijë vota. Para marrjes së detyrës si kryeparlamentare, ajo ka shërbyer për katër vjet si ministre e Drejtësisë.

Në fjalimin e saj pas zgjedhjes, Haxhiu theksoi se do ta nderojë besimin e dhënë me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë. Ajo u zotua se do të sigurojë funksionim dinjitoz të Kuvendit, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat parlamentare, duke garantuar hapësirë të barabartë për të gjithë deputetët, shkruan Koha.

“Sot e marr këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që mban. Këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë. Detyra ime do të jetë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë”, u shpreh ajo.

Në fjalimin e saj të parë, kryeparlamentarja e re u ndal edhe te procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ajo deklaroi se lufta e UÇK-së ka qenë “e drejtë dhe çlirimtare”, duke theksuar se krimet gjatë luftës janë kryer nga Serbia, e cila sipas saj nuk është përballur seriozisht me drejtësinë.

Haxhiu shtoi se pret që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në Kosovë dhe që procesi ndaj tyre të përfundojë shpejt. Ajo theksoi se liria për të debatuar sot në Kuvend është rezultat i sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës për çlirim.