
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njofton se gjatë orëve të mbrëmjes, në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 21 persona për ndihmë mjekësore.
Sipas njoftimit, mes tyre janë 19 efektivë të Policisë së Shtetit, një deputet i Partisë Demokratike dhe një qytetar.
Dy efektivë kanë pësuar djegie të rënda, ndërsa njëri prej tyre mund t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Pasditen e djeshme, protestuesit u mblodhën fillimisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, dhe më pas u zhvendosën drejt Kuvendit.
Sipas informacioneve zyrtare, gjatë zhvillimit të tubimit janë hedhur lëndë djegëse, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve publike.
Si pasojë e sulmeve me sende të forta, mjete piroteknike dhe molotovë, janë dëmtuar 16 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale, Policia ka sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe tre shishe me lëndë të dyshuar djegëse, të dyshuara si benzinë, të gjetura pranë godinës së Kuvendit.
Autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të përfshirë në incidentet e regjistruara gjatë protestës.