
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim në Uashington me Zëvendëssekretaren e Shtetit për Çështjet Politike, Allison Hooker, përgjegjëse për marrëdhëniet politike të SHBA-ve me aleatët në mbarë botën.
Spiropali njoftoi se në fokus të takimit kanë qenë çështjet që prekin drejtpërdrejt interesat e Shqipërisë, përfshirë sigurinë në kuadër të NATO-s, stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, si dhe hapat konkretë për thellimin e partneritetit ekonomik dhe strategjik mes dy vendeve.
Sipas saj, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet thelbësor për garantimin e rolit të Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon dhe për forcimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare.
“Shqipëria sot trajtohet si një aleate e besueshme, që qëndron krah partnerëve të saj dhe kontribuon realisht për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Partneriteti ynë me SHBA-të nuk është çështje protokolli apo fotografie, por një marrëdhënie e ndërtuar mbi interesa, vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
Takimi u zhvillua në Departamentin e Shtetit dhe vjen në kuadër të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.