
Situata u përshkallëzua mbrëmjen e sotme gjatë protestës së opozitës në Tiranë, ku tensionet më të forta u regjistruan fillimisht para Kryeministrisë dhe më pas para Kuvendit.
Protesta, e thirrur nga Partia Demokratike, u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, përdorim të molotovëve, fishekzjarreve, ujëhedhësve dhe gazit lotsjellës.
Që në orët e para të pasdites, Policia e Shtetit kishte marrë masa të shtuara sigurie, duke angazhuar rreth 1 350 efektivë në terren. Godina e Kryeministrisë u rrethua me kangjella metalike dhe kordonë policie.

Pak para nisjes së protestës, kreu i PD-së Sali Berisha u paraqit në selinë blu, për t’iu bashkuar më pas tubimit në bulevard. Opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar Ramën se po bllokon institucionet dhe po ushtron presion mbi Gjykatën Kushtetuese lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, e cila aktualisht ndodhet nën masën e pezullimit, pas vendimit 4 me 4 të Kushtetueses.
Gjatë mbrëmjes, protesta u zhvendos pranë Kuvendit, ku situata u tensionua ndjeshëm. Protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarre drejt forcave të policisë, të rreshtuara përpara institucionit.
Pas një tërheqjeje të përkohshme, efektivët u rigrumbulluan dhe ndërhynë me makina ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Sipas raportimeve paraprake, të paktën 12 efektivë policie janë dëmtuar, katër prej tyre me djegie dhe tetë me dëmtime të tjera, ndërsa shifrat mbeten ende jozyrtare.
Paralelisht, janë ngritur akuza të forta edhe ndaj policisë për përdorim të tepruar të forcës. Dy qytetarë kanë denoncuar se janë goditur me plumba gome në kokë, ndonëse pretendojnë se nuk po kryenin asnjë akt dhune.

Njëri prej tyre, Ilir Tusha, deklaroi se ndodhej vetëm pak metra larg kordonit të policisë dhe po transmetonte live në TikTok, kur u godit papritur dhe u rrëzua në tokë.
Sipas tij, nuk kishte protestues të tjerë përpara dhe goditja erdhi nga drejtimi i policisë, çka e bën Policinë e Shtetit burimin e vetëm të mundshëm të incidentit. Denoncimi ngre shqetësime serioze për përdorimin e mundshëm të plumbave të gomës ndaj protestuesve paqësorë.
Në fjalën e tij para mbështetësve, Sali Berisha e cilësoi Edi Ramën si “kërcënimin më të madh për Shqipërinë”, duke e akuzuar për tentativë grushti shteti ndaj drejtësisë dhe për shndërrimin e vendit në “narkoshtet”.
Ai deklaroi se Rama ka ushtruar presion mbi Gjykatën Kushtetuese për të mbrojtur Belinda Ballukun dhe se në 12–13 vitet e qeverisjes së tij vendi është rrënuar dhe është përballur me shpopullim masiv. Sipas Berishës, beteja kundër qeverisë është fituar vetëm pjesërisht dhe protesta do të vijojë.
Ndërkohë, policia vijoi përdorimin e ujëhedhësve para Kryeministrisë, ku një pjesë e protestuesve refuzuan të largohen nga sheshi. Efektivët u rreshtuan pas gardheve metalike me maska kundërgaz,
ndërsa Berisha u rikthye në selinë e PD-së, me pritshmëri që deputetët e opozitës dhe qytetarët të vijojnë protestën pranë Kuvendit. Situata mbetet e tensionuar dhe në zhvillim.
I dëmtuar gjatë protestës mbeti edhe deputeti demokrat Bledion Nallbati i cili u dërgua në spiital për ndihmë mjekësore.