Vendosni fjalën kyçe....

Industria automobilistike gjermane në krizë, investimet dhe vendet e punës po largohen


Pozicioni i Gjermanisë si një nga qendrat kryesore të industrisë automobilistike po vihet seriozisht në rrezik, teksa investimet dhe vendet e punës po zhvendosen gjithnjë e më shumë jashtë vendit. Alarmin e ngriti të martën Shoqata Gjermane e Industrisë Automobilistike (VDA), duke i bërë thirrje qeverisë në Berlin dhe institucioneve evropiane të përqendrohen në politika që nxisin rritjen ekonomike.

“Gjermania po përjeton një krizë të thellë si vend për të bërë biznes,” deklaroi presidentja e VDA-së, Hildegard Müller.

Një sondazh i zhvilluar nga VDA me ndërmarrje të vogla dhe të mesme përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit të industrisë automobilistike tregon një tablo shqetësuese. Sipas të dhënave, 72% e kompanive planifikojnë të ulin investimet në Gjermani: 28% duke i zhvendosur jashtë vendit, 25% duke i shtyrë për më vonë dhe 19% duke i anuluar plotësisht.

“Këto vendime për investime tashmë po reflektohen drejtpërdrejt në tregun e punës,” theksoi Müller, duke iu referuar sondazhit të realizuar mes datave 11 dhe 25 janar.

Gati dy të tretat e 124 kompanive të anketuara kanë shkurtuar vende pune në Gjermani gjatë vitit të kaluar, ndërsa 87% e tyre kanë përmendur humbjen e konkurrueshmërisë si arsyen kryesore. Aktualisht, 49% e kompanive po vazhdojnë shkurtime të vendeve të punës brenda vendit, krahasuar me vetëm 7% që po reduktojnë punësimin jashtë Gjermanisë.

Furnizuesit gjermanë të pjesëve të automjeteve po përballen me rënie të porosive, presion të fortë konkurrues nga tregjet e huaja dhe vështirësi në tranzicionin drejt automjeteve elektrike dhe softuerëve. Ndërkohë, gjigantë të industrisë si Volkswagen dhe Mercedes, si edhe furnizues të mëdhenj si Bosch, ZF dhe Aumovio, kanë njoftuar dhjetëra mijëra shkurtime vendesh pune.

Pasoja politike të humbjes së vendeve të punës

Sipas të dhënave qeveritare të publikuara në nëntor, punësimi në industrinë automobilistike gjermane ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2011.

Müller paralajmëroi se këto zhvillime do të kenë pasoja edhe në planin politik, duke theksuar se partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) po synon pikërisht segmentet ku punëtorët ndihen të pasigurt për vendet e tyre të punës.

“Zhvendosja e investimeve dhe e punësimit nuk do të mbetet pa pasoja për mirëqenien e vendit dhe për stabilitetin e tij social dhe politik,” u shpreh ajo.

Presidentja e VDA-së kritikoi gjithashtu paketën e masave të Bashkimit Evropian për mbështetjen e prodhuesve evropianë të makinave në kalimin drejt automjeteve elektrike dhe prodhimit më miqësor me mjedisin.

“Si një vend me traditë të fortë automobilistike, ne nuk mund të jemi të kënaqur me propozimet aktuale,” tha Müller, duke kërkuar politika të bazuara te stimujt e tregut dhe jo te detyrimet e rrepta rregullatore, shkruan Reuters.

VDA i është bashkuar thirrjeve të prodhuesve gjermanë të automjeteve për më shumë fleksibilitet në objektivat e BE-së lidhur me tranzicionin drejt automjeteve elektrike.