
Debate të forta u shënuan sot në Komisionin e Ekonomisë, ku kreu i grupit parlamentar të Partisë Liberaliste, Tedi Blushi, u përplas me deputetin socialist Erion Braçe mbi premtimin e parealizuar për uljen e TVSH-së për produktet bazë të shportës ushqimore.
Blushi i kërkoi mazhorancës, dhe në veçanti deputetëve të Partisë Socialiste, që të kërkojnë ndjesë publike qytetarëve dhe pensionistëve për atë që e cilësoi si “mashtrim elektoral të bërë në vitin 2013”. Ai theksoi se ulja e TVSH-së nga 20% në 5% nuk është vetëm një masë ekonomike, por një akt social dhe moral për të lehtësuar kostot e jetesës për shumicën e shqiptarëve, sidomos pensionistët dhe familjet në nevojë.
“Për një pensionist apo një familje në vështirësi ekonomike, nuk ka asgjë më jetike sesa të blejë bukën, qumështin, vezët, miellin apo vajin më lirë, sidomos kur edhe këtë vit parashikohet rritje e inflacionit rreth 3%,” u shpreh Blushi.
Ai kritikoi gjithashtu politikat fiskale të qeverisë, duke akuzuar mazhorancën se ka ulur barrën tatimore për oligarkët dhe bizneset e mëdha, ndërkohë që ka favorizuar resortet luksoze dhe blerësit e jahteve me përjashtime apo zero TVSH, por ka refuzuar të ndërhyjë për ushqimet bazë të qytetarëve.
Blushi nënvizoi edhe dhënien e tokave publike me çmime simbolike për ndërtimin e resorteve dhe kullave, duke theksuar se qytetarët më të varfër paguajnë ushqimet deri në 50% më shtrenjtë se në vendet e BE-së. Ai i bëri thirrje Kuvendit të miratojë projektligjin për uljen e TVSH-së së produkteve bazë, duke e cilësuar këtë një hap në interes të drejtpërdrejtë publik dhe për jetesë me dinjitet.