Vendosni fjalën kyçe....

Berisha zbulon skenarin e protestës: Kryengritje paqësore, do të vijojnë protesta edhe para selive diplomatike



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar skenarin e protestës kombëtare që opozita zhvillon sot, duke e cilësuar tubimin si një “kryengritje të fuqishme paqësore”.

Në një dalje për mediat, Berisha deklaroi se protesta synon të përcjellë mesazhin e opozitës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në qendrat kryesore europiane, si Brukseli dhe Berlini. Ai paralajmëroi gjithashtu se në vijim do të ketë protesta edhe para përfaqësive diplomatike shqiptare nëpër botë.

“Skenari i protestës është skenari i një kryengritjeje të fuqishme paqësore, që duhet të përcillet sot më shumë se kurrë në vatrat e të gjithë shqiptarëve, në Bruksel, Berlin dhe qendrat e tjera. Ne nuk mposhtemi kurrë nga një narkokraturë”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për tejkalim të ligjit dhe moralit, duke deklaruar se protesta e sotme zhvillohet pas asaj që e cilësoi si dështim të “fazës së parë të grushtit të shtetit” dhe nisjes së një faze të re. Sipas Berishës, Rama është i gatshëm të dëmtojë procesin e integrimit europian për shkak të interesave personale.

Në fund, kreu i PD-së ftoi qytetarët të bashkohen masivisht në protesta, duke theksuar se ato do të shënojnë fillimin e një vale të re reagimesh edhe pranë përfaqësive ndërkombëtare, për të, siç tha ai, treguar se opozita përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë.