
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump i ka bërë të ditur Iranit se pret që delegacioni iranian, i udhëhequr nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, të paraqitet në takimin e radhës “me përmbajtje domethënëse”, kanë bërë të ditur për The Jerusalem Post dy burime të njohura me çështjen.
Të premten, i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff, Jared Kushner dhe komandanti i Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), admirali Brad Cooper, u takuan në Oman me Araghchin dhe zyrtarë të tjerë të lartë iranianë.
Takimi i parë u përshkrua si “i mirë”, por sipas burimeve, ai u përqendrua kryesisht në mënyrën se si do të zhvilloheshin negociatat dhe jo në çështjet thelbësore. Palët amerikane presin që në takimin e ardhshëm Irani të vijë i përgatitur për të ofruar lëshime konkrete lidhur me programin bërthamor dhe tema të tjera.
Ndërkohë, të dielën, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se një ndalim i plotë i pasurimit të uraniumit është absolutisht i papranueshëm për Iranin.
“Diskutimet duhet të përqendrohen në skenarë ku pasurimi i uraniumit vazhdon, shoqëruar me garanci se ky proces është vetëm për qëllime paqësore,” u shpreh Araghchi.