Vendosni fjalën kyçe....

Princi William dhe Kate “thellësisht të shqetësuar” nga zbulimet për Epstein


Princi William i Britanisë dhe bashkëshortja e tij, Kate, deklaruan të hënën se ishin thellësisht të shqetësuar nga zbulimet në dosjet e Jeffrey Epstein, mes zbulimeve të tjera dëmtuese për axhën e trashëgimtarit të fronit, Andrew Mountbatten-Windsor.

Vëllai i vogël i Mbretit Charles, i cili tashmë është dëbuar nga rrethi i ngushtë mbretëror për shkak të marrëdhënies së tij të ngushtë me Epstein, është përballur me shqyrtime të reja që nga publikimi i fundit i miliona dokumenteve të reja lidhur me të ndjerin Epstein, i dënuar në SHBA për krime seksuale.

Ndërsa Charles dhe bashkëshortja e tij Camilla deklaruan në tetor se mendimet dhe simpatia e tyre ishin me viktimat dhe të mbijetuarit e abuzimit, komenti i së hënës nga Princi dhe Princesha e Uellsit ishte mesazhi më i drejtpërdrejtë i deritanishëm nga familja mbretërore mbi këtë skandal.

“Princi dhe Princesha kanë qenë thellësisht të shqetësuar nga zbulimet e vazhdueshme,” u tha gazetarëve zëdhënësi i tyre përpara mbërritjes së Princit në një vizitë të nivelit të lartë në Arabinë Saudite. “Mendimet e tyre mbeten të fokusuara te viktimat.”

Andrew dhe Epstein një turp për familjen mbretërore

Mountbatten-Windsor u detyrua të hiqte dorë nga të gjitha detyrat zyrtare mbretërore në vitin 2019 për shkak të lidhjeve të tij me Epstein dhe, në tetor, Mbreti Charles i hoqi titullin “Princ”. Javën e kaluar, ai u detyrua të largohej nga rezidenca e tij mbretërore (Royal Lodge).

Në vitin 2022, ai zgjidhi një padi civile të ngritur nga Virginia Giuffre, e cila e akuzonte atë për abuzim seksual kur ajo ishte adoleshente. Giuffre vdiq nga vetëvrasja prillin e kaluar (2025).

65-vjeçari, djali i dytë i të ndjerës Mbretëreshë Elizabeth, ka mohuar gjithmonë çdo keqbërje dhe nuk i është përgjigjur kërkesave për koment që nga publikimi i fundit i dosjeve Epstein.

Megjithëse familja mbretërore është përpjekur të distancohet nga Mountbatten-Windsor, ai mbetet një problem i hapur për ta. “Charles, sa kohë ke pasur ne njohuri për Andrew dhe Epstein?” bërtiti një burrë nga turma kur Mbreti mbërriti në Clitheroe, në veri të Anglisë – kjo ishte hera e dytë që ai shqetësohej nga thirrjet e publikut brenda një jave.

Në dosjet e fundit të publikuara në SHBA, emailet sugjerojnë se ai ndau dokumente zyrtare tregtare britanike me Epstein në vitin 2010, pas dënimit të Epstein për krime seksuale me fëmijë, duke rrjedhur informacione nga roli i tij i atëhershëm si i dërguar i qeverisë. Dokumentet duket se tregojnë se Andrew i dërgonte Epstein-it raporte për Vietnamit, Singaporin dhe vende të tjera ku ai ishte dërguar për vizita zyrtare.

Policia vlerëson Andrew për rrjedhje të mundshme

Policia e Thames Valley deklaroi se çështja u ishte raportuar atyre dhe se po vlerësonin nëse do të nisnin një hetim zyrtar. Javën e kaluar, policia tha se po shqyrtonte një akuzë të re kundër Andrew, të nxitur nga dosjet e fundit, ku përfshihej një grua që ishte dërguar në një adresë në Windsor, pranë Londrës, ku ai ka jetuar.

Gjatë 10 ditëve të fundit, zbulimet nga dosjet kanë përfshirë edhe Kryeministrin Keir Starmer në atë që shihet gjerësisht si kriza më e madhe e mandatit të tij, për shkak të emërimit të Peter Mandelson si ambasador në SHBA. Mandelson, një i njohur i Epstein, gjithashtu dyshohet se ka ndarë skedarë të ndjeshëm qeveritarë me Epstein në vitet 2009 dhe 2010, dhe policia po heton pretendimet për sjellje të pahijshme në detyrë publike, shkruan Reuters.