
PD-ja ka përshëndetur qëndrimin e Komisionit Evropian që bën thirrje parlamentit të shqyrtojë pa vonesë kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Selia blu nënvizon se qëndrimi i KE-së vjen në një çast kritik të presionit të kryeministrit Rama ndaj drejtësisë dhe zvarritjes së PS-së të kërkesës së prokurorisë.
“Partia Demokratike vlerëson dhe falenderon Komisionin Evropian për qëndrimin e qartë dhe parimor në mbrojtje të sundimit të ligjit dhe pavarësisë së drejtësisë në Shqipëri. KE kërkon pa ekuivok që Kuvendi pa vonesa të adresojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Ky qëndrim vjen në një moment kritik, kur Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur përballjen politike me institucionet e reja të drejtësisë për të mbrojtur veten dhe kur mazhoranca po zvarrit qëllimisht kërkesën për heqjen e imunitetit në rastin e Belinda Ballukut.
Këto veprime nuk janë thjesht devijime politike, sipas përmbajtjes së deklaratës së KE, por goditje të drejtpërdrejta ndaj frymës dhe thelbit të reformës në drejtësi.
Rikujtimi nga Komisioni Europian se lufta kundër korrupsionit dhe respektimi i procedurave kushtetuese, janë kushte thelbësore për integrimin evropian, është një sinjal i fortë dhe i domosdoshëm dhe i ardhur në kohën e duhur.
Lufta e shpallur e Ramës me drejtësinë e pavarur minon besimin e qytetarëve dhe rrezikon seriozisht procesin e anëtarësimit në BE, paralajmëron KE.
Shqipëria nuk mund të ecë drejt Europës duke mbajtur peng drejtësinë për interesa politike.
Për këtë arsye, qëndrimi i Komisionit Evropian është një mbështetje e çmuar për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i qartë se imuniteti politik nuk është standard evropian.
Partia Demokratike mbështet pa rezerva këtë qëndrim dhe mbetet plotësisht e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, respektimin e shtetit ligjor dhe hapave të anëtarësimit të vendit në BE.”