
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me qëndrimin e Komisionit Europian mbi heqjen e imunitetit të deputetëve, duke e cilësuar atë si një apel të qartë që autoritetet shqiptare të mos pengojnë drejtësinë.
Bardhi përshëndeti deklaratën e KE, ku theksohet se “është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij” dhe se lufta kundër korrupsionit është thelbësore për integrimin në BE.
“Ky është një apel i drejtëpërdrejtë për Kryetarin e Kuvendit që të mos shndërrohet në pengesë për drejtësinë dhe të përmbushë përgjegjësinë kushtetuese,” tha Bardhi. Ai akuzoi Kryetarin e Kuvendit se për tetë javë ka vepruar kundër drejtësisë, duke zbatuar urdhra politikë të kryeministrit Rama dhe duke shndërruar Kuvendin në “bunker të korrupsionit qeveritar”.
Bardhi ritheksoi se momenti është vendimtar: “Sot Kryetari i Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë.”