Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Urës së Gjolës protestojnë për rrugën e papërfunduar, rrezik për emergjencat



Rikonstruksioni i rrugëve në zonën e Fushë-Krujës ka mbetur prej vitesh vetëm premtim elektoral, denoncojnë banorët e Urës së Gjolës, të cilët dolën në protestë për ndërtimin e aksit që i lidh me autostradën Fushë-Krujë–Vorë. Sipas tyre, rruga është e mbushur me gropa dhe pellgje uji, pa investime serioze, gjë që e ka bërë të pakalueshme.

Banorët paralajmërojnë se kalimi i autoambulancave apo zjarrfikëseve në këtë rrugë është i pamundur dhe nëse nuk marrin përgjigje konkrete nga Bashkia e Krujës, do të bllokojnë autostradën Fushë-Krujë–Vorë.

Ata theksojnë se gjatë shpronësimeve për ndërtimin e autostradës Thumanë–Kashar iu ishte premtuar ndërtimi i rrugës së Urës së Gjolës, por ky premtim mbeti i parealizuar me kalimin e viteve.