Vendosni fjalën kyçe....

Protesta në Milan kundër ndikimit mjedisor dhe ekonomik të Lojërave Olimpike Dimërore 2026



Në ditën e parë të Lojërave Olimpike Dimërore Milan-Cortina 2026, qyteti i Milanit u bë skenë e një demonstrate nga aktivistë dhe studentë, të cilët shprehën shqetësimet e tyre për ndikimin mjedisor dhe ekonomik të ngjarjes në rajon, përcjell Euronews.

Ndërsa ceremonia e hapjes e Lojërave të mbajtur në stadiumin San Siro shfaqi kulturën italiane dhe temën e harmonisë, jashtë saj nuk munguan kritikat. Përveç parullave kundër lojtarëve të Izraelit dhe pjesëmarrjes së Zëvendës-presidentit amerikan JD Vance, demonstruesit marshuan nëpër qytet, duke kaluar pranë Fshatit Olimpik të ri, i cili strehon rreth 1,500 atletë.

Shumica e protestës u zhvillua në mënyrë paqësore, por në fund pati një përplasje të shkurtër me policinë italiane. Autoritetet përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji kundër dhjetëra demonstruesve që hodhën fishekzjarre dhe përpiqeshin të hynin në një autostradë pranë një vendi të Lojërave Olimpike, përkatësisht pranë stadiumit të hokejit Santagiulia.

Protestuesit kritikuan qeverinë dhe kryebashkiakun e Milanit, duke e cilësuar investimin në Lojërat Olimpike si një shpenzim të paqëndrueshëm dhe të panevojshëm për qytetarët. Një pjesëmarrës theksoi se “këto para publike janë shpenzuar për një vitrinë ekspozimi, ndërkohë që mungojnë fonde për shërbime bazë si shkollat dhe kujdesi shëndetësor.”

Një tjetër protestues shtoi se Lojërat Olimpike nuk kanë sjellë pasuri për qytetin dhe rajonin e Lombardisë, duke shpjeguar se fondet janë larguar nga sektori social dhe shëndetësor, duke i cilësuar këto lojëra si “olimpiada të rreme”.

Demonstrata e së shtunës erdhi pas një proteste të organizuar të premten nga studentë dhe aktivistë kundër pranisë së ICE dhe ndikimeve të ndryshme politike dhe sociale të Lojërave Olimpike në Milan.