
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ka deklaruar se çarmatosja e Hamasit dhe demilitarizimi i Gazës janë thelbësore dhe të panegociueshme për çdo plan të ardhshëm, përcjell YNet.
Gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Paraguait, Ruben Ramirez Lezcano, Sa’ar theksoi se “Hamasi duhet të çarmatoset dhe Gaza duhet të demilitarizohet. Kjo është në zemër të planit dhe nuk duhet të ketë asnjë kompromis në këtë drejtim”.
Duke folur për Iranin, kryediplomati izraelit paralajmëroi se programi i raketave balistike me rreze të gjatë të Teheranit përbën një kërcënim serioz jo vetëm për Izraelin, por edhe për rajonin dhe Evropën. “Regjimi iranian ka përdorur tashmë raketa kundër vendeve të tjera në Lindjen e Mesme. Edhe vendet evropiane janë të kërcënuara nga rrezja e këtyre raketave”, u shpreh Sa’ar.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Paraguait, Ruben Ramirez Lezcano, deklaroi mbështetje të plotë për Izraelin. “Paraguai mbështet pa ekuivok dhe pa kushte të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe për t’u vetëmbrojtur”, tha ai.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe përpjekjesh ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për konfliktin në Gaza.