
Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë është bllokuar sërish rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe rënies së masiveve të gurëve në trupin e rrugës.
Sipas informacioneve paraprake, punimet jashtë standardeve të nevojshme, të kombinuara me reshjet e fundit, kanë shkaktuar destabilizim të terrenit, duke sjellë probleme të reja në këtë segment rrugor, i cili prej kohësh konsiderohet një zonë problematike për qarkullimin e mjeteve.
Si pasojë e situatës, qarkullimi është ndërprerë plotësisht, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative deri në një njoftim të dytë.
Autoritetet bëjnë me dije se pritet ndërhyrja e strukturave përkatëse për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit normal. Ndërkohë, situata po monitorohet nga afër për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të tjera.
Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë orëve të natës dhe në kushte të pafavorshme atmosferike.