
Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar lidhur me arrestimin e 33 zyrtarëve në kuadër të skandalit të mbetjeve të rrezikshme, duke kërkuar që SPAK të shkojë më tej dhe të hetojë edhe ish-ministren e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Zhupa thekson se kontrabanda e mbetjeve të rrezikshme është një krim i rëndë mjedisor me pasoja afatgjata për shëndetin publik dhe mjedisin, që nuk mund të mbyllet me hetime sipërfaqësore. Ajo vëren se licencimet, mungesa e kontrollit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe autorizimet për eksport në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare ngrejnë dyshime serioze për përgjegjësi politike dhe institucionale.
“Hetimi për kontrabandimin e mbetjeve të rrezikshme nuk mund dhe nuk duhet të ndalet te disa kompani private apo zyrtarë të nivelit të mesëm. Mirela Kumbaro në funksionin e saj si ministre e Mjedisit nuk mund të qëndrojë jashtë hetimit kur kemi të bëjmë me kontrabandë ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme”, shkruan Zhupa.
Ajo shton se vetëm 7% e mbetjeve të kapura janë hetuar, duke ngrehur pyetjen se ku kanë përfunduar sasi të mëdha të mbetjeve dhe si janë administruar, si dhe kritikon autoritetet për mungesë monitorimi dhe licenca të dhëna në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Zhupa kërkon nga SPAK një hetim të plotë dhe të paanshëm, duke theksuar se skandali nuk mund të mbyllet me masa të kufizuara dhe hetime të pjesshme.