
SHBA dhe India bënë një hap të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje të gjerë tregtare, duke publikuar të premten një kornizë të përkohshme që parashikon uljen e tarifave, riformatimin e marrëdhënieve energjetike dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Sipas deklaratës së përbashkët, marrëveshja synon gjithashtu të stimulojë blerjet indiane të produkteve amerikane me një vlerë prej 500 miliardë dollarësh gjatë pesë viteve të ardhshme, përcjell Reuters.
Korniza e përkohshme hap rrugën për negociata të mëtejshme për të finalizuar një marrëveshje të plotë bilaterale. Një aspekt i veçantë i marrëveshjes është heqja e tarifës shtesë prej 25% mbi produktet indiane që lidhej me blerjet e naftës ruse, ndërsa SHBA do monitorojë çdo rikthim të këtij aktiviteti.
Sipas planit, India do të ulë ose eliminojë tarifat mbi produktet industriale amerikane dhe një gamë të gjerë produktesh bujqësore dhe ushqimore, përfshirë fruta të freskëta dhe të përpunuara, vaj soje, verë dhe pije alkoolike. Ndërkohë, tarifat amerikane mbi importet nga India mbeten në 18% për shumicën e produkteve, duke përfshirë tekstile, lëkurë, plastikë, kimikate organike dhe makineri.
Ministri i Tregtisë indian, Piyush Goyal, e cilësoi marrëveshjen si një mundësi të madhe për eksportuesit indianë, duke përfshirë fermerët, peshkatarët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa opozita indiane kritikoi marrëveshjen duke thënë se ajo i favorizon SHBA-të dhe dëmton interesat kombëtare.
Sipas zyrtarëve, marrëveshja do të lehtësojë gjithashtu zbatimin e standardeve amerikane ose ndërkombëtare për produktet e importuara dhe bashkëpunimin për kontrollin e eksportit të teknologjive të ndjeshme, duke adresuar indirekt edhe politikat jo-tregtare të vendeve të treta, përfshirë Kinën.
Negociatat për një marrëveshje të plotë pritet të përfundojnë deri në mars, duke hapur mundësinë që lehtësimet tarifore dhe uljet e barrierave tregtare të hyjnë në fuqi.