
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dhënë “mbështetje të plotë” kryeministres japoneze Sanae Takaichi përpara zgjedhjeve kombëtare që do të mbahen të dielën në Japoni, duke shtuar se mezi pret ta presë atë në Shtëpinë e Bardhë muajin e ardhshëm.
Takaichi, kryeministrja e parë grua e Japonisë dhe një konservatore që thotë se frymëzohet nga “Zonja e Hekurt” britanike Margaret Thatcher, pritet tashmë të sigurojë një fitore solide për koalicionin e saj qeverisës, sipas sondazheve.
Ajo kërkon një mandat publik për planet e shpenzimeve që kanë shqetësuar investitorët dhe për forcimin e mbrojtjes, që mund të tensionojë më tej marrëdhëniet me Kinën.
Sipas sondazheve, Partia Liberaldemokrate e Takaichi-t dhe partneri i saj në koalicion, Partia e Inovacionit e Japonisë (Ishin), mund të fitojnë rreth 300 vende në Dhomën e Ulët me 465 vende, dukshëm më shumë se shumica e ngushtë që kontrollojnë aktualisht, përcjell Reuters.
“Kryeministrja Takaichi është dikush që meriton njohje të fuqishme për punën që ajo dhe Koalicioni i saj po bëjnë”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. “Është nderi im t’i jap një mbështetje të plotë dhe totale asaj dhe asaj që përfaqëson koalicioni i saj i respektuar”.
Ndryshe nga paraardhësit e tij, Trump ka shfaqur gjithnjë e më shumë prirje për të ndikuar në zgjedhjet e vendeve të tjera. Analistët thonë se mbështetja e tij për Takaichi-n, 64 vjeçe, nacionaliste dhe e njohur për qëndrimet e forta në mbrojtje, përputhet me një model të rreshtimit me liderë të djathtë në botë.
Edhe pse Takaichi duket se është në rrugë të sigurt drejt fitores, mbështetja e Trump pritet të ketë jehonë në Japoni. “Nga këndvështrimi i komunitetit të biznesit, marrëdhënie më të mira dhe njohje më e madhe nga Trump do të shihen si pozitive,” tha Asuka Tatebayashi, analiste gjeopolitike në Mizuho Bank.
Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Kei Sato, konfirmoi se Trump e ka ftuar Takaichi-n për një vizitë në Uashington më 19 mars, duke theksuar se vizita do të shërbejë për të riafirmuar lidhjet e forta të aleancës Japoni-SHBA.
Megjithatë, Takaichi përballet edhe me sfida të mëdha. Ajo ka shkaktuar tensione serioze me Kinën pasi përshkroi publikisht se si Tokio mund të reagonte ndaj një sulmi të mundshëm kinez ndaj Tajvanit.
Planet e saj për forcimin e mbrojtjes pritet të zemërojnë më tej Pekinin, i cili i sheh këto hapa si ringjallje të militarizmit japonez.
Në frontin ekonomik, tregjet janë shqetësuar nga premtimi i saj për të pezulluar taksën e shitjes për ushqimet, një masë që do të rëndonte buxhetin e një vendi me borxhin publik më të lartë në botë. Në javët e fundit, investitorët janë larguar nga obligacionet qeveritare japoneze dhe jeni ka ardhur nën presion.
Nëse sondazhet rezultojnë të gabuara dhe Takaichi humbet shumicën, ajo ka deklaruar se do të japë dorëheqjen.