
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka zhvilluar në Uashington një Forum mbi Sigurinë, i realizuar në bashkëpunim me përfaqësues të Kongresit amerikan.
Mediu theksoi se në kuadër të forumit janë diskutuar një sërë çështjesh që lidhen me Shqipërinë, duke theksuar se vëmendje e veçantë i është kushtuar analizimit të ndikimit që këto problematika kanë në stabilitetin rajonal.
Ai nënvizoi gjithashtu se, në kontekstin aktual gjeopolitik dhe përballë kërcënimeve të reja globale, rritja e investimeve në fushën e mbrojtjes mbetet një domosdoshmëri si për vendin tonë, ashtu edhe për Aleancën.
“Investimi për mbrojtjes nuk është vetëm çështje prokurimi. Pika e parë është domosdoshmëria e funksionimit të NATO-s në partneritet. Investimi për mbrojtjen është domosdoshmëri në situatën gjeopolitike dhe kërcënimet e sotme”, tha ai.
Mediu shtoi gjithashtu se janë bërë disa takime të rëndësishme në nivele të larta gjatë Forumit.
“Kisha një takim të mbyllur me folësit kryesor dhe kongresmenët. Kongresi Amerikan në mënyrë të qartë është në mbështetje të aleancës ë NATO-s me një angazhim me SHBA dhe këtë e shohin si gjënë më të rëndësishme për sigurinë e BE apo SHBA por edhe sigurisë globale.
Kemi zhvilluar dy takime shumë të rëndësishme si opozitë, me presidentin e Institutit Republikan Amerikan dhe presidentin e Institutit Demokratik Amerikan.
Kemi kërkuar angazhim për çështje të rëndësishme si Reforma Zgjedhore apo ajo Territoriale.
Janë vlerësime inkurajuese për opozitën shqiptare, kemi adresuar problemin e korrupsionit, trafiqeve, zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri. Qendrimi i DASH ishte i pa ndryshuar në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar duke u ndalur në raste konkrete. Kapitalizimi i kësaj marrëdhënie nga ana e opozitës është diçka shumë e rëndësishme sipas mendimit tim, duke mos u ndalur në efektin që ka brenda Shqipërisë, por edhe pasojat që ajo ka në rajon, në Ballkan.
Është pozitive, një lëvizje e fortë opozitare, opozita i ka dyert e hapura tashmë”, tha ai.