Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri përfshin një spital në Pensilvani, evakuohen pacientët dhe stafi



Një zjarr i përmasave të konsiderueshme përfshiu mbrëmjen e së mërkurës një pjesë të Spitalit Lehigh Valley Hospital në Dickson City, Pensilvani, duke detyruar evakuimin e plotë të pacientëve, stafit dhe vizitorëve, përcjell AP News.

Sipas autoriteteve dhe përfaqësuesve të spitalit, të gjithë personat që ndodheshin në ambientet e institucionit u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa shërbimet emergjente vijuan punën në vendngjarje edhe në orët e para të së enjtes. Nuk raportohet për të lënduar.

Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, njoftoi se Policia e Shtetit, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave dhe Departamenti i Shëndetësisë u angazhuan menjëherë në përballimin e situatës. Ai falënderoi publikisht ekipet e emergjencës për ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionale.

Pamje dhe fotografi të publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakë që dalin nga çatia e një pjese të ndërtesës, e cila dyshohet se i përket Institutit Ortopedik të spitalit.

Shkaqet e zjarrit nuk janë ende të qarta dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e tij. Dickson City ndodhet rreth 10 kilometra në veri të qytetit Scranton.

Edhe përfaqësues politikë lokalë kanë reaguar, duke vlerësuar punën e shërbimeve të emergjencës dhe stafit spitalor, falë të cilëve u shmang një tragjedi më e madhe.