
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme u prit në Kongresin Amerikan nga Kongresmeni Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën dhe iniciues i “Projektligjit për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës”.
Ky projektligj kërkon monitorimin dhe raportimin nga Departamenti Amerikan i Shtetit mbi trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Gjatë takimit, Spiropali theksoi se nisma e Kongresmenit Self, përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e problemeve serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe adresimin e tyre institucional.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, në bashkëpunim me aleatët tanë”, deklaroi Spiropali.
Vizita e Spiropalit në Uashington do të vijojë me takimet në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në disa organizata e think-tanke të mendimit politik me fokus zhvillimet e fundit globale.
Postimi i Spiropalit:
Kongresi Amerikan, Kënaqësi takimi me Kongresmenin Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën, ndër të tjera iniciues i “Projektligjit për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës”, që kërkon monitorimin dhe raportimin nga Departamenti i Shtetit Amerikan mbi trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Nisma përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e problemeve serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe adresimin e tyre institucional.
Shqipëria mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, në bashkëpunim me aleatët tanë.