Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dhe Irani konfirmojnë bisedimet bërthamore të premten në Oman


Zyrtarë iranianë dhe amerikanë konfirmuan të mërkurën se një takim mes përfaqësuesve të dy vendeve do të zhvillohet të premten në Muskat, kryeqytetin e Omanit.

Konfirmimi vjen pas raportimeve se bisedimet rrezikonin të dështonin për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me formatin dhe vendndodhjen e negociatave. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, njoftoi se takimi për çështjen bërthamore është planifikuar për të premten në Muskat, duke falënderuar autoritetet e Omanit për ndërmjetësimin dhe organizimin e takimit.

Edhe Shtëpia e Bardhë konfirmoi për DW se bisedimet do të mbahen në Oman, ndonëse më herët ishte përmendur mundësia që ato të zhvilloheshin në Turqi.

Megjithatë, mbeten të paqarta pikat e përbashkëta mbi agjendën e negociatave. Irani ka këmbëngulur që bisedimet të kufizohen vetëm në çështjen e programit të tij bërthamor, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar se kërkojnë një diskutim më të gjerë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se çdo takim duhet të përfshijë gjithashtu programin raketor balistik të Iranit, mbështetjen për grupet e armatosura në Lindjen e Mesme dhe çështjet e të drejtave të njeriut.

Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë iranianë kanë bërë të ditur se programi raketor nuk është pjesë e negociatave dhe se insistimi i SHBA-së për tema jashtë çështjes bërthamore mund të rrezikojë zhvillimin e bisedimeve.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka vijuar retorikën e ashpër ndaj Iranit, duke deklaruar se Teherani po planifikonte ndërtimin e një objekti të ri bërthamor dhe duke paralajmëruar pasoja në rast të përshkallëzimit të situatës. Trump ka rritur gjithashtu praninë ushtarake amerikane në rajon dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e veprimeve të reja ushtarake.