Vendosni fjalën kyçe....

Reshjet e shiut shkaktojnë rënie gurësh në disa akse të Kukësit, qarkullimi kryhet me kujdes



Gjatë natës, i gjithë qarku i Kukësit u përfshi nga reshje shiu me intensitet mesatar, të shoqëruara herë pas here me erë, duke krijuar vështirësi në disa segmente rrugore. Reshjet kanë vijuar deri në orët e para të mëngjesit të së enjte, kur kanë filluar të ndërpriten gradualisht.

Si pasojë e motit të paqëndrueshëm, në disa akse janë regjistruar rënie gurësh dhe inertesh nga shpatet malore, sidomos në segmentin Kukës–Bushtricë, ku lëvizja e automjeteve u vështirësua përkohësisht. Aktualisht, aksesi është i qarkullueshëm normalisht, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar.

Strukturat vendore raportojnë se në bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk janë konstatuar dëme në banesa apo infrastrukturë tjetër publike. Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht në të gjithë qarkun. Autoritetet mbeten në gatishmëri dhe bëjnë thirrje për kujdes maksimal në akset malore.