Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon seanca paraprake, Kryemadhi del nga GJKKO: Lista e provave ka mbi 40 faqe me intervista dhe shkrime, jo prova ligjore


Ka përfunduar seanca paraprake në GJKKO për çështjen penale ndaj ish-kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, dhe ish-Presidentit Ilir Meta.

Në një deklaratë për mediat pas daljes nga gjykata, Kryemadhi u shpreh se prokurori ka përfunduar leximin e relacionit, të cilin ajo e cilësoi si të mbushur me përsëritje të vazhdueshme të të njëjtave elemente, vetëm për të rritur artificialisht volumin e materialeve.

“Big Brother në versionin e SPAK-ut. Prokurori mbaroi relacionin dhe, për të thënë të drejtën, ishte përsëritje e të njëjtave gjëra disa herë, vetëm për të shtuar numrin e faqeve,” deklaroi Kryemadhi.

Ajo bëri të ditur se vetëm në fund të seancës iu dorëzua lista e provave, e cila, sipas saj, përbëhet nga mbi 40 faqe materiale që nuk mund të konsiderohen prova ligjore.

“Në fund na u dorëzua lista e provave, rreth 40 e ca faqe, ku ka intervista, shkrime e gazeta. Për herë të parë, edhe në kohën e diktaturës këto nuk quheshin prova, por thirrej intervistuesi dhe merrej dëshmia në formën e provës,” tha Kryemadhi.

Ish-kryetarja e LSI-së la të kuptohet se mbrojtja do të shqyrtojë në detaje materialet e dorëzuara dhe do të vijojë qëndrimin e saj se dosja nuk përmban prova konkrete për akuzat e ngritura.