Vendosni fjalën kyçe....

Helmimi nga monoksidi i karbonit i merr jetën katër anëtarëve të një familjeje shqiptare në Itali



Një ngjarje është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në komunën Porcari, në zonën e Luccës në Itali, ku katër anëtarë të së njëjtës familje kanë humbur jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.

Viktimat janë një burrë 48 vjeç, bashkëshortja e tij 43 vjeçe dhe dy fëmijët e tyre, 22 dhe 15 vjeç, të gjithë me origjinë shqiptare. Një person i pestë, vëllai i 48-vjeçarit, është shpëtuar, por ndodhet në gjendje kritike në spitalin “Cisanello”, pasi humbi ndjenjat për shkak të helmimit sapo hyri në banesë.

Sipas autoriteteve italiane, alarmi u dha nga vëllai i kryefamiljarit, pasi familjarët nuk po u përgjigjeshin telefonatave. Ai, së bashku me dy efektivë të karabinierëve, hyri me forcë në banesën trekatëshe, ku u gjetën katër trupat e pajetë të shtrirë në dysheme.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës së darkës, pasi ekipet e shpëtimit konstatuan se tryeza ishte e shtruar. Dy karabinierët që ndërhynë për ndihmë të parë shfaqën shenja të lehta helmimi, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rrjedhjes së monoksidit të karbonit dhe për të verifikuar funksionimin e sistemit të ngrohjes në banesë.