
Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do të ketë më shumë kompetenca për të punësuar dhe shkarkuar deri në 50 mijë punonjës karriere të administratës federale, në kuadër të një ristrukturimi të gjerë të sistemit të shërbimit civil, i njoftuar të enjten.
Ristrukturimi, i publikuar nga Zyra e Menaxhimit të Personelit (Office of Personnel Management – OPM), përmbush një premtim elektoral të Trump për t’u hequr mbrojtjen e vendit të punës punonjësve federalë që, sipas ekipit të tij, “ndikojnë” në politikat qeveritare, sipas Reuters.
Ky ndryshim konsiderohet më i madhi në rregullat që qeverisin shërbimin civil në më shumë se një shekull dhe synon punonjës që administrata i sheh si pengesë për zbatimin e prioriteteve të presidentit.
Trump e kishte quajtur këtë ristrukturim “Schedule F” gjatë mandatit të tij të parë.
“Nuk mund të drejtosh një organizatë nëse njerëzit refuzojnë të zbatojnë objektivat dhe urdhrat e ligjshëm të administratës,” deklaroi drejtori i OPM-së, Scott Kupor, zyrtari kryesor për burimet njerëzore i administratës Trump.
Rregulli i ri pritet të shqyrtohet nga një gjyqtar federal.
Sindikatat e punonjësve federalë dhe aleatët e tyre kanë ngritur padi që në janar për të ndalur politikën, para se ajo të finalizohej plotësisht.
Gjyqtarët federalë e pezulluan procesin gjyqësor ndërsa administrata Trump përfundonte ndryshimet, por sfida ligjore pritet të rifillojë në ditët në vijim, sipas Skye Perryman nga organizata Democracy Forward, një nga grupet që qëndron pas padisë.
“Ne do të kthehemi në gjykatë për të ndalur këtë rregull të paligjshëm dhe do të përdorim çdo mjet ligjor të mundshëm për ta mbajtur këtë administratë përgjegjëse,” tha ajo në një deklaratë.
Sipas politikës së publikuar të enjten, Trump do të ketë autoritetin të përcaktojë se cilat pozicione qeveritare do ta humbasin mbrojtjen e vendit të punës.
Ndryshime edhe në mbrojtjen e sinjalizuesve (whistleblowers)
Administrata Trump po ndryshon gjithashtu mënyrën se si do të zbatohen mbrojtjet ligjore afatgjata që ndalojnë agjencitë qeveritare amerikane të hakmerren ndaj sinjalizuesve të shkeljeve.
Sipas deklaratës së OPM-së, agjencitë federale do të jenë përgjegjëse për vendosjen e mekanizmave të mbrojtjes për punonjësit e tyre që denoncojnë shkelje, si shkelje të ligjit apo shpërdorim fondesh.
Kjo përbën një ndryshim nga praktika e mëparshme, kur një zyrë e pavarur, e njohur si Zyra e Këshilltarit Special (Office of the Special Counsel), kishte për detyrë të mbronte sinjalizuesit nga hakmarrja.