Vendosni fjalën kyçe....

Rama për studentët e ekselencës: Mos u dorëzoni, bëni realitet ëndrrat me sytë hapur



Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, ku u prezantuan rezultatet e arritura në përmbyllje të Thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës për studentët e ekselencës.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te politikat e qeverisë në mbështetje të të rinjve, duke vënë theksin te bashkëpunimi me Komisionin Europian për zbatimin e “Projektit të Garancisë Rinore”. Sipas kryeministrit, ky projekt synon identifikimin dhe aktivizimin e të rinjve që kanë potencial, por që nuk janë të angazhuar në tregun e punës apo në arsimim.

Ai theksoi se programi ofron mbështetje ekonomike, trajnime dhe aftësim profesional, si dhe krijon mundësi konkrete për punësim, vazhdim të arsimit dhe kryerje praktikash profesionale. Rama bëri të ditur se projekti ka edhe mbështetje të konsiderueshme financiare, rreth 65 milionë euro.

Kryeministri u bëri thirrje studentëve që të investojnë në aftësimin e tyre profesional edhe përtej detyrimeve të zakonshme, duke theksuar se qeveria po punon gjithashtu për zgjerimin e mundësive të punësimit në administratën publike. Sipas tij, synimi është të vazhdohet me thithjen e burimeve më të mira që dalin nga universitetet.

Në përfundim, Rama i inkurajoi të rinjtë që të mos dorëzohen dhe të punojnë për realizimin e aspiratave të tyre profesionale dhe personale.