Vendosni fjalën kyçe....

Përplaset skafi i migrantëve me anijen e rojës bregdetare në ishullin grek, 15 viktima



Një ngjarje e rëndë është regjistruar të martën në det pranë ishullit grek të Kiosit, ku një anije e rojës bregdetare greke u përplas me një skaf që transportonte migrantë, duke shkaktuar dhjetëra viktima, përcjell DW.

Sipas autoriteteve greke, nga deti janë nxjerrë trupat e 14 personave, 11 burra dhe tre gra. Një grua tjetër, e plagosur rëndë, ndërroi jetë më vonë në spital, duke e çuar bilancin e viktimave në të paktën 15 të vdekur.

Mediat greke raportojnë se 25 persona të plagosur, mes tyre 11 fëmijë dhe dy efektivë të rojës bregdetare, janë transportuar në spitalin e ishullit për trajtim mjekësor. Ndërkohë, vijon një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi me mjete detare, helikopter dhe zhytës, pasi nuk dihet ende numri i saktë i personave që ndodheshin në skaf.

Sipas informacioneve paraprake nga mediat, mjeti me migrantë po udhëtonte nga Turqia drejt brigjeve të Kiosit kur u pikas nga roja bregdetare greke dhe iu kërkua të ndryshonte kurs. Raportohet se pas sinjalit paralajmërues, skafi tentoi të largohej, por për arsye ende të paqarta u përplas me anijen patrulluese, duke bërë që disa persona të përfundonin në det.

Autoritetet greke nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi shkaqet e sakta të përplasjes.

Greqia mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes në Bashkimin Europian për migrantët që largohen nga konfliktet dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi. Kalimi i shkurtër nga brigjet turke drejt ishujve grekë në Egjeun Lindor është shpesh i rrezikshëm dhe shoqërohet me aksidente fatale. Sipas të dhënave ndërkombëtare, që nga viti 2014 rreth 33 mijë migrantë kanë humbur jetën ose janë zhdukur në Mesdhe.