
Tre vitet e fundit kanë qenë tepër të vrullshme për Daniel Shimën, ish-nëndrejtor i AKSHI-t, duke filluar nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, dyshimet për favorizim të një firme në tendera, largimi nga detyra, “zhdukja” dhe në fund një rrjet kompanish që “mbinë nga hiçi”.
Në pjesën e parë të investigimit, VoxNews faktoi me dokumente dhe burime nga disa institucione sesi Danieli e bëri nënën e tij rrobaqepëse një biznesmene, duke xhiruar miliona euro, blerë troje, apartamente, e marrë leje ndërtimi në disa qytete.
“Tenderat i bëja me porosi të Mirlindës”, si Daniel Shima e bëri nënën rrobaqepëse, një biznesmene me prona miliona euro!
Madje, shokët e tij Sokol Përllaku dhe Redvin Marku, arritën të krijonin dhe administronin disa kompani, sërish me xhiro dhe prona në vlerën e dhjetëra miliona eurove.
Sokoli pas bashkëpunimit dhe transaksioneve me Merita Shimën hapi disa kompani të tjera, në fushën e ndërtimit, teksa mori si administrator Redvin Markun. Emri i këtij të fundit është “lidhja” mes Përllakut dhe vetë Danielit, pasi në momentin që Danieli u largua nga AKSHI, hapi një kompani në emrin e tij dhe mori si administrator pikërisht Redvinin!

Faksimile: Në vitin 2024, Daniel Shima u largua nga AKSHI dhe themeloi kompaninë ‘Digital Euphoria”
Duket se Danieli jo vetëm që ka futur gishtin në tenderat e AKSHI-t, por ai është lyer i gjithi.
Mjafton që Prokuroria e Posaçme të gjurmojë këto emra, Meritën, Redvinin apo edhe Sokolin dhe do të shohë çudira. Si disa njerëz anonimë, me të ardhura minimale, papritmas u bënë biznesmenë të mëdhenj, duke qarkulluar dhe blerë prona miliona euro.
Megjithatë, paraja gjithmonë “lë gjurmë” dhe këtë duhet të bëjnë hetuesit e BKH-së, t’a ndjekin. Ka dyshime të mëdha se, paratë e AKSHI-t, nga ato që tenderohen çdo javë, kanë shkuar në një grup personash, qoftë biznesmenë apo edhe drejtues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, siç është edhe rasti i Daniel Shimës.
Pas largimit nga posti i nëndrejtorit të AKSHI-t, Danieli vendosi që të dalë hapur, duke themeluar kompaninë “Digital Euphoria”, një kompani që merrej me konsulencë dhe marketing. Një fushë e gjerë ku mund të pastrosh në mënyrën më të lehtë para të pista.
Por a mbaron këtu rrjeti i Danielit, familjarëve apo edhe shokëve të tij?! Normalisht që jo, pasi paraja duhet kamufluar, duke u xhiruar në disa emra për të humbur gjurmët. Të dhënat e hulumtuara nga VoxNews nxjerrin në dritë përfshirjen e kushërinjve të parë të 34-vjeçarit, që u “zhduk” në muajin gusht 2025.

Faksimile: Ekstrakti i kompanisë “E – Lava” në pronësi të Marin Shpatës, djali i dajës së Daniel Shimës
VoxNews ka mësuar se në vitin 2023, në kulmin e karrierës së Daniel Shimës, kushëriri i tij i parë, Marin Shpata, hapi kompaninë “E-Lava”, e cila kishte disa pika lavazhesh, një biznes që i kalonte shifrën e 500 mijë eurosh. Një skemë e mirëfilltë, pasi të lejon që edhe pa bërë asnjë punë, mund të xhirosh qindra mijëra euro.
Por, çfarë e lidh “E–Lava”-n me Daniel Shimën? Në dukje, ish-nëndrejtori mund të justifikohet se s’mban përgjegjësi se çfarë pune apo biznesi ka djali i dajës. Po kur Danieli dhe Marini kanë të njëjtën adresë, a kanë lidhje?!


Faksimile: Kompania “E-Lava” ka të njëjtën adresë me kompaninë “Blitz” që u themelua nga Daniel Shima
Danieli i është futur “me kokë” letrave pasi la detyrën shtetërore, pasi ai themeloi me shpejtësi një tjetër firmë, të quajtur “Blitz Facility Management”. Kjo firmë kishte si “pronar” kompaninë e parë të Danielit “Digital Euphoria”.
Këtu bëhet lidhja mes Marinit dhe Danielit, pasi si “E-Lava” dhe “Blitz” kanë të njëjtën adresë të deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit; Rruga e Kavajës, Garden Building, kulla 24, kati 6, apartamenti 2A.
Jo vetëm kaq, pasi firma e dytë e Danelit regjistrohet për lavazh dhe dezifektim, pikërisht objekti i kompanisë së kushëririt. VoxNews ka mësuar se, Danieli e ka zgjeruar gamën e bizneseve, duke hapur edhe një restorant në Lundër, në një pronë që vlen miliona euro.
VoxNews ka mësuar se, në biznes është futur motra dhe e dashura e Danielit, duke hapur të dyja kompani, të cilat i kamuflonin si “ndërkombëtare”.
Ka shkuar buja e Danielit te shtetet e tjera?! Kaq para’ të ketë kursyer nga paga si nëndrejtor i AKSHI-t?! Apo janë paratë që ai menaxhoi gjatë asaj detyre, duke favorizuar një klan?!
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Voxnews.al