Vendosni fjalën kyçe....

Letonia dhe Estonia kërkojnë emërimin e një emisari special të BE-së për bisedime direkte me Rusinë


Kryeministrja e Letonisë, Evika Siliņa, dhe presidenti i Estonisë, Alar Karis, kanë bërë thirrje për emërimin e një emisari special të Bashkimit Evropian që të rihapë kanalet diplomatike me Rusinë, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të siguruar një rol më të madh të Evropës në tryezën e negociatave mes Uashingtonit, Kievit dhe Moskës.

Në intervista të ndara për Euronews, dy liderët baltikë theksuan se çdo komunikim me Moskën duhet të bëhet në konsultim të ngushtë me Ukrainën dhe se i dërguari i posaçëm duhet të jetë një figurë konsensuale dhe me kredibilitet të gjerë.

Deklaratat e tyre pasqyrojnë një ndryshim të shpejtë në mendimin strategjik evropian lidhur me Rusinë, pas faktit se vendet e BE-së janë lënë jashtë bisedimeve direkte për paqe që po udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi më herët këtë javë se puna për emërimin e një emisari special ka nisur tashmë “në nivel teknik”, një ide e mbështetur edhe nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Propozimi ishte hedhur për herë të parë verën e kaluar, por atëherë shumica e liderëve evropianë e konsideruan të papërshtatshëm.

Unë mendoj se duhet të angazhohemi në diplomaci. Gjithmonë duhet të flasim, por njëkohësisht duhet të izolojmë Rusinë dhe të mbajmë sanksionet”, u shpreh Siliņa, në një intervistë gjatë Samitit Botëror të Qeverive në Dubai.

Ajo shtoi se evropianët duhet të jenë pjesë e negociatave, veçanërisht nëse vetë ukrainasit kanë nisur bisedimet.

Sipas saj, si përfaqësues të mundshëm evropianë përmendi Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin polak Donald Tusk dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, edhe pse Merz ka shprehur kundërshtim ndaj bisedimeve direkte me Rusinë.

“Po, na duhet vërtet një emisar. Pyetja është kush do të jetë. Kemi shumë opsione. Unë jam e gatshme të shkoj nëse është e nevojshme, por mendoj se liderët nga Gjermania ose Franca, si dhe Mbretëria e Bashkuar, duhet të jenë ata që të jenë në tryezë bashkë me amerikanët, duke ndihmuar Ukrainën në këto negociata shumë të vështira”, tha kryeministrja letoneze.

Nga ana e tij, presidenti estonez Alar Karis nuk përmendi emra konkretë, por theksoi se i dërguari duhet të vijë nga një vend i madh evropian dhe të ketë “kredibilitet në të dyja palët”.

“Së pari, Bashkimi Evropian duhet të përfshihet në këto diskutime. Edhe pse ne nuk luftojmë drejtpërdrejt me Rusinë, prej shumë vitesh kemi mbështetur Ukrainën dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë. Prandaj duhet të kemi edhe ne një fjalë”, u shpreh Karis.

Ai shtoi se Evropa është “paksa me vonesë” në këtë drejtim dhe se ndoshta vetë BE-ja duhet të kishte nisur më herët përpjekje për zgjidhje diplomatike.

“Disa vite më parë ishim në pozicionin që nuk flisnim me agresorët, ndërsa tani jemi të shqetësuar sepse nuk jemi në tryezë”, përfundoi presidenti estonez.