Vendosni fjalën kyçe....

Salianji nga Fieri: Të bashkojmë edhe demokratët e përjashtuar, PD duhet të jetë parti e garës dhe e shpresës


Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka përcjellë mesazhe të forta për bashkim dhe reformim të Partisë Demokratike gjatë një takimi me strukturat dhe mbështetësit në Fier, duke theksuar se ndryshimi në Shqipëri vjen vetëm përmes demokratëve dhe një partie të hapur ndaj garës dhe brezit të ri.

“Shqipërinë e ndryshojnë demokratët”, u shpreh Salianji, duke nënvizuar se anëtarësia e PD-së përbën pasurinë më të madhe të kësaj force politike.

Sipas tij, shumë anëtarë vazhdojnë të besojnë se vendi mund të bëhet ndryshe, por ky besim duhet të përkthehet në një kulturë politike të re, të bazuar në parime, meritë dhe konkurrencë të ndershme.

“Anëtarësia e PD janë pasuria jonë më e madhe. Janë njerëzit që besojnë ende se Shqipëria mund të bëhet ndryshe. Unë besoj tek gjenerata e re dhe besimi po më shpërblehet. Ata duan garë të ndershme, meritë, dinjitet sepse ndryshimi gjeneracional nuk është biologji, por kulturë politike. Është kalimi nga individët tek parimet, nga heshtja tek fjala e lirë,” tha Salianji.

Ai theksoi se Partia Demokratike nuk mund ta mundë pushtetin duke pasur frikë nga gara e brendshme dhe se fitorja vjen vetëm përmes hapjes ndaj të rinjve dhe strukturave që presin prej vitesh një PD ndryshe.

Ne nuk e mundim pushtetin duke pasur frikë nga gara. Ne e fitojmë Shqipërinë me hapje ndaj brezit të ri që pret prej vitesh PD. PD duhet të jetë parti e garës, e normave dhe e shpresës sepse vetëm kështu mund të fitojmë besimin e qytetarëve,” u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Salianji dërgoi edhe një mesazh kritik ndaj lidershipit aktual të PD-së, duke thënë se nuk ka parë angazhim të mjaftueshëm për bashkimin e të gjithë demokratëve.

“Ndryshimi është bashkim mbi parime. Ne jemi këtu për ta nderuar PD-në me kolona e themele më të forta. Jemi për të bashkuar edhe ata demokratë që po përjashtohen nga lidershipi,” përfundoi Salianji.