
Policia franceze ka bastisur të martën zyrat e rrjetit social X, në pronësi të miliarderit amerikan Elon Musk, ndërsa prokuroria ka urdhëruar që Musk të paraqitet për t’u marrë në pyetje në prill, në kuadër të një hetimi gjithnjë e më të gjerë ndaj platformës.
Sipas prokurorisë së Parisit, veprimet lidhen me një hetim njëvjeçar mbi dyshime për abuzim me algoritmet dhe nxjerrje mashtruese të të dhënave nga X ose drejtuesit e saj, përcjell Reuters.
Hetimi ka nisur në fillim të vitit 2025 dhe tashmë është zgjeruar për të përfshirë edhe chatbot-in e inteligjencës artificiale Grok, të zhvilluar nga kompania xAI e Musk.
Prokuroria bëri të ditur se Musk dhe ish-drejtoresha ekzekutive e X, Linda Yaccarino, janë thirrur për një seancë dëgjimore më 20 prill, ndërsa edhe punonjës të tjerë të kompanisë janë thirrur si dëshmitarë.
Thirrjet janë të detyrueshme, megjithëse zbatimi i tyre është më i vështirë për persona që nuk jetojnë në Francë.
Në një deklaratë, prokuroria theksoi se hetimi është zgjeruar pas ankesave për funksionimin e Grok dhe tani përfshin edhe dyshime për bashkëpunim në mbajtjen dhe shpërndarjen e materialeve me përmbajtje pornografike me fëmijë, si dhe shkelje të të drejtave të imazhit përmes deepfake-ve seksualisht eksplicite, mes veprave të tjera të mundshme penale.
“Në këtë fazë, zhvillimi i këtij hetimi është pjesë e një qasjeje konstruktive, me synimin përfundimtar që platforma X të respektojë ligjet franceze, për aq sa operon në territorin kombëtar”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.
Nga ana e tij, Musk në korrik të vitit të kaluar kishte mohuar akuzat fillestare, duke i cilësuar veprimet e prokurorëve francezë si një “hetim penal i motivuar politikisht”. Kompania X nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për bastisjen e së martës.
Paralelisht, Autoriteti britanik për Mbrojtjen e të Dhënave (ICO) ka nisur një hetim formal ndaj Grok, lidhur me përpunimin e të dhënave personale dhe mundësinë e prodhimit të përmbajtjeve seksuale të dëmshme, përfshirë imazhe dhe video.
Autoriteti britanik i medias, Ofcom, ka njoftuar gjithashtu se po përcakton hapat e ardhshëm në hetimin e tij ndaj X, për të vlerësuar nëse kompania ka bërë mjaftueshëm për të frenuar përhapjen e deepfake-ve seksuale.
Javën e kaluar, edhe Bashkimi Europian hapi një hetim ndaj X për të vlerësuar nëse platforma ka shpërndarë përmbajtje të paligjshme, pas reagimeve publike mbi përhapjen e imazheve të manipuluara seksualisht nga Grok.
Sipas gjetjeve të Reuters, chatbot-i ka vazhduar të gjenerojë imazhe të tilla edhe kur përdoruesit paralajmërojnë se personat e përfshirë nuk japin pëlqimin.
Si pjesë e këtij procesi, prokuroria e Parisit njoftoi gjithashtu se do të largohet nga platforma X dhe se në të ardhmen do të komunikojë përmes LinkedIn dhe Instagram.
Hetimi në Francë po drejtohet nga njësia e krimit kibernetik e prokurorisë së Parisit, në bashkëpunim me policinë franceze dhe Europol, duke e kthyer çështjen në një nga përplasjet më të forta mes autoriteteve europiane dhe platformës së Musk për çështjet e përmbajtjes, algoritmeve dhe lirisë së shprehjes.