Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë nënkupton skadimi këtë javë i marrëveshjes për kontrollin e armëve bërthamore


Era e kontrollit të armëve mbi arsenalet bërthamore pritet të përfundojë këtë javë, ndërsa skadon kontrolli i fundit ligjor mbi madhësinë e armëve bërthamore të dislokuara të Rusisë dhe SHBA-së.

Traktati “New Start”, i cili kufizon numrin e raketave operacionale dhe kokave bërthamore në dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë, përfundon të enjten. Me perspektivat për bisedime të ardhshme që duken të zbehta, kjo potencialisht hap një epokë të re të rrezikut atomik mes fuqive të mëdha.

“Besoj vërtet se tani jemi në pragun e një gare të re armatimesh,” tha James Acton, bashkëdrejtues i programit të politikës bërthamore në Carnegie Endowment for International Peace.

“Nuk mendoj se gjatë jetës sime do ketë një traktat tjetër që kufizon numrat.”

Pushimi i traktatit mbyll më shumë se gjysmë shekulli përpjekjesh të Moskës dhe Uashingtonit, me nivele të ndryshme mosbesimi, për të kufizuar arsenalet e tyre respektive — përpjekje që janë shtrirë nga Richard Nixon dhe Leonid Brezhnev në 1972 deri në bisedimet e Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev në 1985 në një vilë buzë liqenit në Gjenevë.

Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev gjatë samitit të Gjenevës në vitin 1985

I nënshkruar në vitin 1991, ndërsa Bashkimi Sovjetik po shpërbëhej, traktati Start I vendosi kufizimet e para të rëndësishme mbi armët bërthamore strategjike të SHBA-së dhe Rusisë dhe krijoi një regjim inspektimi që do të shërbente si model për kontrollin e armëve pas Luftës së Ftohtë.

Pas një ndërprerjeje të shkurtër, ai u pasua përfundimisht nga New Start, i cili u nënshkrua në vitin 2010 dhe u zgjat në vitin 2021. Ky traktat kufizoi numrin e kokave bërthamore të dislokuara nga secili vend në 1,550 – më se mjaftueshëm për të shkatërruar njëri-tjetrin dhe pjesën më të madhe të botës.

Presidenti rus Vladimir Putin ka sugjeruar se të dyja palët mund të vazhdojnë vullnetarisht t’u përmbahen kufizimeve aktuale kur ai të skadojë. Donald Trump, i cili e ka përshkruar propozimin e homologut të tij rus si një “ide të mirë”, ende nuk është përgjigjur zyrtarisht, por sugjeroi se do të preferonte “një marrëveshje të re që është shumë më e mirë” me Rusinë dhe Kinën.

“Presidenti Trump ka folur vazhdimisht për adresimin e kërcënimit që armët bërthamore paraqesin për botën dhe ka treguar se do të dëshironte të mbante kufizime mbi armët bërthamore dhe të përfshinte Kinën në bisedimet për kontrollin e armëve,” tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Diskutimet mbi traktatin, i nënshkruar në vitin 2010 gjatë “rifillimit” (reset) të dështuar të ish-presidentit amerikan Barack Obama me Rusinë, dështuan pasi Putin urdhëroi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022. Putin pastaj pezulloi pjesëmarrjen e Rusisë në traktat një vit më vonë dhe la të kuptohej se Moska mund të rifillonte testimet bërthamore.

Vitin e kaluar, Trump urdhëroi Pentagonin të rifillonte testimet bërthamore “në baza të barabarta” me Rusinë dhe Kinën. Nuk ishte e qartë nëse ai i referohej testeve bërthamore shpërthyese apo testimit të armëve të afta për të dërguar një pajisje atomike.

“Nuk mund të kesh një traktat që është më i mirë se gjendja e përgjithshme e marrëdhënies suaj. Pra, fakti që nuk ka asnjë traktat është një pasqyrim i asaj që po ndodh më gjerësisht midis SHBA-së dhe Rusisë”, tha Pavel Podvig, drejtor i Projektit të Forcave Bërthamore Ruse.

Trump, i cili njihet për stilin e tij të paparashikueshëm, mund të lëshojë ende një njoftim të minutës së fundit se ka ndërmend të pranojë ofertën e Putinit për të respektuar kufijtë e traktatit edhe për një vit tjetër.

Rose Gottemoeller, e cila ishte negociatorja kryesore amerikane e traktatit si nënsekretare e shtetit për kontrollin e armëve, tha se ishte një vendim i thjeshtë (“no brainer”) pranimi i ofertës së Putinit për një zgjatje vullnetare.

SHBA, tha ajo, mund të përfundojë në një pozitë më të dobët nëse të dy vendet garojnë për të shtuar më shumë koka bërthamore në raketat dhe bombarduesit e tyre.

Barack Obama dhe Dmitry Medvedev nënshkruan një traktat historik që i angazhonte vendet e tyre për shkurtime të mëdha të armëve bërthamore në vitin 2010 në Pragë

“Rusët mund të shtojnë koka bërthamore më shpejt se ne,” tha ajo.

Dmitry Medvedev, ish-presidenti që udhëhoqi bisedimet me administratën e Obamës për New Start, tha në fund të janarit se tensionet mbi Ukrainën dhe mosmarrëveshjet themelore me Uashingtonin rreth kontrollit të armëve e bënin një marrëveshje të re të pashpresë.

“Nuk ka pasur padyshim sinjale pozitive të mjaftueshme nga ana amerikane,” tha ai.

“Më mirë të mos kemi asnjë [marrëveshje të re] sesa një që thjesht mbulon mungesën reciproke të besimit dhe ndez një garë armatimesh në vende të tjera.”

Edhe pse i është përmbajtur traktatit, Rusia ka vazhduar të mbajë prodhimin serial të armëve dhe kokave të reja bërthamore, ndërsa SHBA ka preferuar të modernizojë rezervat e saj të vjetra.

Vasily Kashin, profesor në Shkollën e Lartë të Ekonomisë në Moskë, tha se Moska kishte pak interes në rritjen e arsenalit të saj për sa kohë që ruante paritetin strategjik me SHBA-në.

“Ne jemi rehat me gjendjen ku janë gjërat dhe siguria jonë këtu është tashmë e garantuar. Pse duhet të nisim një garë armatimesh dhe të shpenzojmë para shtesë për të? Nuk kemi nevojë sepse kemi tashmë një avantazh,” tha Kashin.

New Start gjithashtu mundësoi një proces të detajuar verifikimi dhe njoftimi që synonte të reduktonte rrezikun e llojeve të keqkuptimeve që mund të spiralizohen shpejt në një krizë bërthamore.

“Përvoja e jetuar e traktateve të kontrollit të armëve është në zbatim, dhe kjo përfshin inspektimet, shkëmbimet e të dhënave dhe njoftimet prej të cilave kishte mijëra,” tha Samuel Charap, shkencëtar i lartë politik në Rand Corporation.

Procesi i inspektimit, megjithatë, u pezullua gjatë pandemisë Covid-19 dhe më pas u ndalua plotësisht kur Putin pezulloi pjesëmarrjen e Rusisë në traktat në vitin 2023. Oferta e Putinit për të zgjatur kufijtë e traktatit edhe për një vit do të thoshte pak nëse Rusia nuk do të pajtohej gjithashtu për të rifilluar procesin e verifikimit, tha Podvig.

“Vlera e New Start nuk ishte te vetë kufijtë, por në gjithë këtë sistem inspektimesh, shkëmbimi të dhënash dhe njoftimesh. Nëse do të mund të kishim kufij më të lartë, por me gjithë këtë makineri transparence, ky do të ishte një kompromis i mirë,” tha Podvig.

“Kjo kërkon një shkallë mjaft të lartë bashkëpunimi, besimi dhe respekti reciprok. Kjo është një gjë e mirë në këtë sistem.”

Vladimir Putin ka sugjeruar që Rusia dhe SHBA-të mund të vazhdojnë vullnetarisht t’i përmbahen kufizimeve aktuale kur traktati të skadojë

Por mungesa e besimit rreth inspektimeve të pezulluara dhe lufta në Ukrainë ndërlikohet nga armët e reja që nuk mbulohen nga marrëveshja aktuale. Rusia po zhvillon sisteme të avancuara të dërgimit bërthamor si raketa kruz Burevestnik me energji bërthamore dhe mjeti nënujor bërthamor Poseidon, si dhe armë konvencionale hipersonike si raketa balistike Oreshnik.

“Skadimi i New Start nuk ka të bëjë vërtet me New Start. Ka të bëjë me një model më të gjerë mosbesimi dhe mosinteresimi për kontrollin e armëve në përgjithësi,” tha Matt Korda, bashkëdrejtues për Projektin e Informacionit Bërthamor në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë.

Trump po shtyn gjithashtu projektin e mbrojtjes raketore “Kupola e Artë” (Golden Dome), të cilin Medvedev e quajti “ekstremisht provokues”. Ai pretendoi se kjo “bie plotësisht ndesh me pohimin se armatimet strategjike ofensive dhe defensive janë të lidhura pazgjidhshmërisht” në preambulën e New Start.

Gara e Kinës për të ndërtuar arsenalin e saj bërthamor ka ndërlikuar bisedat mbi kontrollin e armëve bërthamore. Trump ka deklaruar vazhdimisht se do të dëshironte të shihte Pekinin të përfshirë në një marrëveshje për armët bërthamore me Moskën.

SHBA dhe Rusia zotërojnë së bashku 86 për qind të rezervave globale të armëve shkatërruese, edhe pse arsenali i Kinës është dyfishuar në vitet e fundit.

“Ekziston një besim mjaft i përhapur në SHBA se ne duhet të rrisim arsenalet tona për t’iu përgjigjur Kinës,” tha Acton.

“Stratcom ka arritur në vendimin se i nevojitet aftësia për të shënjestruar forcat bërthamore ruse dhe kineze simulantisht,” tha ai, duke iu referuar komandës luftarake amerikane që mbikëqyr arsenalin bërthamor të vendit.

Nga ana e tij, Pekini ka pak gjasa të pranojë idenë e kontrollit të armëve derisa të ketë paritet me SHBA-në.

“Armët bërthamore të Kinës janë problemi i Trump, jo i joni,” tha Kashin.

“Kjo bisedë se SHBA-ja duhet të jetë aq e fortë sa Rusia dhe Kina të kombinuara është ajo që mund të nxisë një garë të re armatimesh.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times