Vendosni fjalën kyçe....

Bill e Hillary Clinton do dëshmojnë para Kongresit për lidhjet me Epstein


Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton ranë dakord vonë mbrëmjen e së hënës të paraqiten për dëshmi në kuadër të një hetimi të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me kriminelin e dënuar seksual Jeffrey Epstein. Vendimi i çiftit vjen pas muajsh refuzimi për të dëshmuar personalisht mbi marrëdhëniet e tyre me financierin e diskredituar dhe mbi dokumentet që tashmë qarkullojnë në publik.

Pranimi për t’u paraqitur, i komunikuar fillimisht përmes postës elektronike nga një palë e tretë, shmang për momentin një votim në Kongres që do t’i shpallte të dy, tashmë në të shtatëdhjetat, fajtorë për “përçmim penal të Kongresit” (contempt of Congress). Një hap i tillë do të kishte pasoja serioze ligjore, përfshirë gjoba të rënda dhe potencialisht edhe burgim.

Ende nuk është e qartë se kur do të zhvillohen dëshmitë nën betim, por një gjë konsiderohet e sigurt: do të ishte hera e parë që një ish-president i Shteteve të Bashkuara dëshmon para një paneli kongresmenësh që nga viti 1983, kur këtë e bëri Gerald Ford.

Mbrëmjen e së hënës, zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, Angel Ureña, reagoi publikisht duke e paraqitur çiftin si viktimë të situatës. Në një postim në platformën X, ai konfirmoi se Klintonët do të paraqiteshin për dëshmi, duke akuzuar Komitetin e Mbikëqyrjes për mungesë mirëbesimi.

“Ata negociuan në mirëbesim,” shkroi Ureña në një mesazh drejtuar komitetit. “Ju jo.”

Ai shtoi se Klintonët tashmë kishin dhënë nën betim atë që dinin, por sipas tij kjo nuk ishte marrë parasysh. “Megjithatë, ish-presidenti dhe ish-Sekretarja e Shtetit do të jenë atje. Ata mezi presin të vendosin një precedent që zbatohet për të gjithë.”

Republikani që udhëheq hetimin e pranoi se kishte marrë njoftimin për këtë lëvizje, por theksoi se asgjë nuk ishte finalizuar. Sipas tij, nuk kishte ende asnjë marrëveshje të shkruar dhe asnjë dokument zyrtar të dorëzuar, ndërsa nënvizoi se çifti i thirrur “nuk mund të diktojë kushtet e fletëthirrjeve ligjore”.

Sipas raportimit të agjencisë Associated Press, deputeti James Comer, kryetar i Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, vazhdoi deri vonë në mbrëmje të insistonte që të procedohej me akuzat për përçmim penal ndaj të dy Klintonëve për mosrespektim të fletëthirrjeve të Kongresit. Ky qëndrim u mbajt deri në momentin kur avokatët e çiftit i dërguan një email stafit të komitetit, duke deklaruar se Klintonët do të pranonin kërkesat e Comer dhe “do të paraqiteshin për dëshmi në data të rëna dakord reciprokisht”.

Në të njëjtën kohë, avokatët i kërkuan Comer-it, republikan nga shteti i Kentakit, që të ndalonte procedurat për përçmim penal. Megjithatë, ai bëri të ditur se nuk ishte i gatshëm t’i tërhiqte menjëherë akuzat, të cilat, nëse miratohen nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe ndiqen penalisht nga Departamenti i Drejtësisë, mbartin rrezikun e gjobave të konsiderueshme dhe madje edhe burgimit.

“Nuk kemi asgjë me shkrim,” u tha Comer gazetarëve, duke shtuar se ishte i hapur për të shqyrtuar ofertën e Klintonëve, por se gjithçka “varet nga ajo që do të thonë ata” gjatë dëshmisë, shkruan Breitbart.

Më herët gjatë së hënës, Comer kishte hedhur poshtë një propozim të avokatëve të Klintonëve që parashikonte që Bill Clinton të jepte një intervistë të transkriptuar, ndërsa Hillary Clinton të dorëzonte një deklaratë nën betim. Kryetari i komitetit këmbënguli që të dy të paraqiteshin personalisht për dëshmi nën betim para komitetit, në përputhje me fletëthirrjet ligjore të lëshuara nga paneli.

Sipas BBC-së, Klintonët kanë deklaruar se më herët i kanë dorëzuar komitetit deklarata nën betim dhe kanë dhënë “informacionin e kufizuar” që, sipas tyre, zotëronin lidhur me Jeffrey Epstein.

Në reagimet e mëparshme, çifti i ka cilësuar fletëthirrjet ligjore si “asgjë më shumë se një truk për të tentuar të turpërojnë rivalët politikë”, duke pretenduar se kjo nismë ishte e motivuar politikisht dhe e nxitur nga ish-presidenti Donald Trump.