
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër mazhorancën dhe qeverinë për mbrojtje të politikanes në hetim, zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, duke e cilësuar çështjen si një “sistem që pi gjakun e qytetarëve”.
Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Berisha tha se mazhoranca po bllokon drejtësinë duke mos lejuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut, për të cilën Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar autorizimin e drejtësisë parlamentare.
Berisha akuzoi zyrtaren se, sipas tij, “u ka vjedhur shqiptarëve 1.2 miliardë euro dhe mazhoranca vepron si shtylla e një sistemi që shfrytëzon qytetarët”. Ai konsideroi se refuzimi për të vepruar ndaj Ballukut dhe zvarritja e vendimmarrjespërbën një pengesë ndaj procesit të drejtësisë dhe një problem institucional.
Akuzat ndaj saj lidhen me hetime të hapura nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera dhe procedura të prokurimit publik, prej të cilave prokurorët kanë kërkuar edhe heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut.
Debati në Kuvend rritet ndërkohë që mazhoranca ka vendosur të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen, duke mos mbledhur për momentin Këshillin e Mandateve për heqjen e imunitetit, çka kritikohet si vonesë procedurale.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur çështja “Balluku” është shkaktuar nga kërkesa e SPAK për autorizim ligjor që të hetohet dhe ndëshkohet zyrtarja, ndërsa procesi parlamentar dhe kushtetues për këtë situatë mbetet në zhvillim.