Vendosni fjalën kyçe....

Shehu kritikon listën e re të barnave: Rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe favorizon medikamente të pasigurta



Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka kritikuar ashpër listën e re të çmimeve të barnave, duke paralajmëruar se kjo masë mund të rrezikojë shëndetin e qytetarëve dhe të favorizojë medikamente me origjinë të pasigurt.

Në një postim në Facebook, Shehu shkruan se ndryshimet në listën e barnave synojnë të mbulojnë kolapsin financiar të ISKSh-së, duke ulur çmimet e barnave patente dhe të kompanive të certifikuara, pa negociata dhe pa transparencë. Sipas tij, kjo mund të sjellë largimin nga tregu të medikamenteve të sigurta, të certifikuara nga EMA dhe FDA, të cilat përdoren në vendet e Bashkimit Evropian.

“Në vend të tyre, qytetarëve po u ofrohen gjithnjë e më shumë medikamente me origjinë të pasigurt, pa certifikime ndërkombëtare, të cilat nuk lejohen të qarkullojnë as në BE dhe as në Kosovë,” shkruan Shehu. Ai thekson se barnat nuk janë mallra të zakonshme dhe siguria dhe efektiviteti klinik janë parametri kryesor, të garantuara vetëm nga certifikime ndërkombëtare.

Deputeti shton se fondi i rimbursimit mbetet rreth 100 milionë euro, duke detyruar qytetarët të paguajnë deri në 60% nga xhepi i tyre, ndërkohë që në vendet e BE kjo barrë është rreth 10%. Ai kritikon gjithashtu rrëzimin e amendamenteve të tij për rritjen e buxhetit të shëndetësisë dhe rikthimin e detyrimit ligjor për certifikim EMA/FDA.

Shehu paralajmëron se kjo politikë do të zbrazë listën e barnave të sigurta dhe do ta mbushë me “fake drugs”, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe duke ushqyer korrupsionin në sistem.