Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Balluku po ndërton një “shtet paralel” për të penguar drejtësinë



Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka akuzuar zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila aktualisht është nën hetim nga SPAK për 11 tendera me vlerë rreth 1.1 miliardë euro, se po përdor pushtetin politik për të blerë heshtjen e bashkëpunëtorëve të saj të implikuar në korrupsion.

Bardhi theksoi se, ndërsa Gjykata Kushtetuese zvarrit vendimmarrjen dhe Kuvendi përdoret si alibi për të mos vepruar, Balluku po shfrytëzon këtë kohë për të ndërtuar një “shtet paralel” me qëllim që t’u sigurojë garanci bashkëpunëtorëve të saj që të mos flasin.

Ai deklaroi: “Belinda Balluku, e pandehur dhe nën hetim për 11 tendera me vlerë rreth 1.1 miliardë euro, po e përdor pushtetin politik për të blerë heshtjen e bashkëpunëtorëve të saj të implikuar në korrupsion.”

Bardhi përmendi si shembuj të qartë të pengimit të drejtësisë emërimet e personave nën hetim në krye të institucioneve strategjike. Ai vuri në dukje vendosjen e Viola Haxhiademit në krye të KESH-it dhe të Irma Drobonikut në Komisionin e Prokurimeve Publike, duke deklaruar se këto emërime synojnë të garantojnë mbrojtje politike dhe qetësi për rrethin e ngushtë të Ballukut.

“Vendosja e një personi nën hetim në krye të këtij institucioni është mesazh shpërblyes për heshtje dhe bindje”, u shpreh ai.

Bardhi theksoi gjithashtu se këto veprime vijnë pas arrestimit të ish-drejtorit të Drejtorisë së Rrugëve, Ervis Berberi, dhe janë pjesë e një strategjie për të bllokuar hetimet e SPAK dhe për të zgjatur proceset përmes institucioneve si Gjykata Kushtetuese dhe Parlamenti.

Ai përfundoi duke thënë se çdo heshtje institucionale është bashkëpunim me korrupsionin dhe e konsideroi këtë si një rast të kapjes së shtetit: “Ky është ndërtim i qëllimshëm i një shteti paralel, për të penguar drejtësinë dhe për të mbytur SPAK-un. Në çdo demokraci, kjo quhet kapje e shtetit. Në Shqipëri, po ndodh para syve të të gjithëve.”