
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë detaje mbi organizimin e protestës së paralajmëruar për datën 10 shkurt para Kryeministrisë, duke lënë të hapur mundësinë që protesta të shndërrohet në qëndrim të vazhdueshëm në shesh deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha tha se gjithçka varet nga ajo që e cilësoi si “kryengritje paqësore”, e cila, sipas tij, nuk duhet të ndalet deri në rrëzimin e qeverisë aktuale.
“Gjithçka varet nga kryengritja jonë paqësore që s’duhet të ndalet kurrë deri në rrëzimin e Edi Ramës. Ne thirrëm protestën tjetër me datën 10 shkurt, në mënyrë që të marrim edhe njëherë paralajmërimin më serioz për largimin e tyre nga pushteti. Gjatë këtyre ditëve janë me qindra qytetarë që kërkojnë me shumë të drejtë që në protestë të mos largohemi nga sheshi pa realizimin e qëllimit tonë. Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme për të larguar këtë regjim nga pushteti”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se një skenar i tillë kërkon angazhim maksimal nga strukturat e PD-së dhe mbështetësit e saj për të bindur sa më shumë qytetarë që t’i bashkohen këtij qëndrimi.
“Por kjo kërkon që secili nga ne të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh gjersa të largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë. Ju garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme po shkojmë. Edi Rama, mbrapa diellit të shkojë, shpresë nuk ka”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha u ka përcjellë një porosi të drejtpërdrejtë drejtuesve të Partisë Demokratike që të intensifikojnë mobilizimin dhe komunikimin me qytetarët në prag të protestës së 10 shkurtit.