
Mijëra protestues dolën në rrugët e Minneapolis-it, ndërsa nxënës dhe studentë në mbarë Shtetet e Bashkuara organizuan bojkotim të mësimit të premten, duke kërkuar tërheqjen e agjentëve federalë të emigracionit nga Minesota, pas vrasjes së dy shtetasve amerikanë nga agjentë federalë të emigracionit.
Nxënës dhe mësues nga Kalifornia deri në Nju Jork braktisën klasat në kuadër të një dite kombëtare proteste, në një kohë kur nga administrata Trump vijnë sinjale të paqarta nëse do të ketë apo jo ulje të intensitetit të operacionit të njohur si “Metro Surge”.
Në kuadër të goditjes kombëtare kundër emigracionit të paligjshëm, Presidenti Donald Trump ka dërguar rreth 3,000 oficerë federalë në zonën e Minneapolis-it, të cilët patrullojnë rrugët me pajisje taktike, një forcë pesë herë më e madhe se vetë Departamenti i Policisë së Minneapolis-it.
Duke protestuar kundër këtij dislokimi masiv dhe kundër taktikave të përdorura nga Shërbimi Amerikan i Emigracionit dhe Doganave (ICE), disa mijëra persona u mblodhën në qendër të Minneapolis-it, në temperatura nën zero, përfshirë familje me fëmijë të vegjël, çifte të moshuar dhe aktivistë të rinj, sipas Reuters.
Katia Kagan, e veshur me një bluzë me mbishkrimin “No ICE” dhe me një pankartë që kërkonte largimin e agjencisë nga qyteti, tha se është vajza e hebrenjve rusë që emigruan në SHBA për siguri dhe një jetë më të mirë.
“Jam këtu sepse do të luftoj për ëndrrën amerikane për të cilën erdhën prindërit e mi,” u shpreh ajo.
Kim, një instruktore meditimi 65-vjeçare që kërkoi të mos i bëhej publik mbiemri, e quajti dislokimin e forcave një “sulm të plotë fashist të qeverisë federale kundër qytetarëve.”
Në një lagje të Minneapolis-it pranë vendeve ku u vranë Alex Pretti dhe Renee Good, rreth 50 mësues dhe punonjës shkollash marshuan në shenjë solidariteti.
Edhe këngëtari i njohur Bruce Springsteen i dha zë protestave, duke dalë në skenë në një koncert bamirësie për familjet e Pretti dhe Good dhe duke interpretuar këngën e tij të re “Streets of Minneapolis.”
Protestat u shtrinë përtej Minesotës, ndërsa organizatorët parashikuan rreth 250 demonstrata në 46 shtete, në qytete të mëdha si Nju Jorku, Los Anxhelosi, Çikago dhe Uashingtoni, nën sloganin: “Pa punë. Pa shkollë. Pa blerje. Ndaloni financimin e ICE-së.”
Nga ana e tij, Trump i shprehu mbështetje Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, duke shkruar në rrjetet sociale se ajo “ka bërë një punë SHUMË të mirë” dhe se “kriza e kufirit që trashëgova është rregulluar.”
Shefi lokal i FBI-së shkarkohet
Zhvillimet në Minneapolis kanë pasur jehonë edhe brenda qeverisë federale. Sipas dy burimeve, drejtuesi në detyrë i zyrës së FBI-së në Minneapolis, Jarrad Smith, është larguar nga posti dhe është transferuar në selinë qendrore të FBI-së në Uashington.
Kjo zyrë ka qenë e përfshirë në operacionin federal dhe në hetimet për vrasjen e Pretti, si edhe për një protestë në një kishë që çoi në akuza penale ndaj ish-prezantuesit të CNN, Don Lemon.
FBI-ja e arrestoi Lemon të premten dhe Departamenti i Drejtësisë e akuzoi për shkelje të ligjit federal gjatë protestës, në atë që avokati i tij e quajti sulm ndaj lirisë së shtypit.
Pas deklarimit të pafajshëm, Lemon u shpreh: “Nuk do të hesht. Pres me padurim ditën time në gjykatë.”
Sipas New York Times, duke cituar një memorandum të brendshëm të ICE-së, agjentëve u është dhënë këtë javë kompetencë më e gjerë për të arrestuar persona pa urdhër, duke zgjeruar mundësinë për operacione të shpejta kundër emigrantëve të dyshuar pa dokumente.
Opinioni publik po ndryshon
Video virale që tregojnë taktika agresive të agjentëve të armatosur dhe të maskuar në rrugët e Minneapolis-it kanë ulur ndjeshëm mbështetjen publike për politikat e emigracionit të Trump, në nivelin më të ulët të mandatit të tij të dytë, sipas një sondazhi Reuters/Ipsos.
Si reagim ndaj zemërimit publik, “koordinatori i kufirit” i Trump, Tom Homan, u dërgua në Minneapolis dhe deklaroi se agjentët do të rikthehen në operacione më të targetuara, e jo në kontrolle masive rrugore.
Guvernatori demokrat i Minesotës, Tim Walz, e vuri në dyshim këtë premtim dhe tha se nevojiten ndryshime më të thella.
“E vetmja mënyrë për të garantuar sigurinë e njerëzve të Minesotës është që qeveria federale të tërheqë forcat dhe t’i japë fund kësaj fushate brutaliteti,” shkroi Walz në X.
Trump, ndonëse kishte thënë më herët se dëshironte të “zbusë pak” situatën, deklaroi të enjten: “Aspak.”
Në Aurora, Kolorado, shkollat publike u mbyllën për shkak të mungesave të shumta të pritura, ndërsa në Tucson, Arizona, të paktën 20 shkolla anuluan mësimin.
Protesta u zhvilluan edhe në universitete dhe shkolla të mesme në Çikago, Long Beach dhe Bruklin, me pankarta kundër ICE-së dhe thirrje për kampuse “strehë”.