
Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha sot se qeveria shqiptare është në bisedime me vende të treta për të siguruar fuqi punëtore për vendet bosh në sektorë të ndryshëm të vendit.
Ajo e bëri deklaratën në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Punës.
“Qeveria shqiptare ka një politikë për emigracionin, ka një strategji kombëtare për migracionin e cila ka të parashikuar një sërë masash. Ndërkohë që sigurisht adresimi i mungesës së fuqisë punëtore, por edhe i fuqisë punëtore të kualifikuar do të jetë pjesë e diskutimeve të ditës së sotme, ku në fakt qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të rëndësishme me qëllim kualifikimin e fuqisë punëtore, por edhe me qëllim plotësimin e nevojave për fuqi punëtore edhe nëpërmjet marrëveshjeve që ne jemi duke nënshkruar me vendet të treta.” – tha ajo.