Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria nxjerr në konsultim publik projektligjin për mbylljen e shoqërive shtetërore në likuidim



Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, i cili synon përmbylljen përfundimtare të këtyre shoqërive dhe transferimin e aseteve të tyre te një shoqëri e vetme tregtare shtetërore.

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, aktualisht në pronësinë dhe administrimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit ndodhen disa shoqëri tregtare me kapital shtetëror mbi 51%, të cilat prej vitesh ndodhen në proces likuidimi dhe nuk ushtrojnë më aktivitet ekonomik.

“Këto shoqëri vazhdojnë të ekzistojnë si subjekte juridike kryesisht për administrimin e aseteve dhe trajtimin e detyrimeve të mbartura ndër vite, ndërkohë që procesi i likuidimit nuk është përmbyllur,” thuhet në relacion.

Sipas Ministrisë, disa prej këtyre ndërmarrjeve shtetërore ndodhen në likuidim prej më shumë se 20 vitesh. Një rast konkret është Alb Bakër sh.a., për të cilën që në vitin 2004 është miratuar prishja e shoqërisë dhe emërimi i likuidatorit të parë.

Në të njëjtën situatë ndodhen edhe shoqëri të tjera shtetërore si “Albkrom” sh.a., “Albminiera” sh.a., “Prodhim Mobilje” sh.a., “Petrol Alba” sh.a., “Duhan-Cigare” sh.a., “Albkontroll” sh.a. (Durrës), “Superfosfat Kurbin” sh.a. si dhe “Qendra e Regjistrimit të Aksioneve”.

Në relacion theksohet se këto ndërmarrje kanë detyrime të mbartura prej vitesh, një pjesë e të cilave rezultojnë të parashkruara, të pajustifikuara ose të vështira për t’u verifikuar.

“Detyrimet janë krijuar në periudha të hershme dhe në shumë raste janë regjistruar gabimisht në kontabilitet, pa dokumentacion mbështetës ose ndaj subjekteve që nuk ekzistojnë më juridikisht. Në disa raste, këto detyrime përbëjnë pjesën më të madhe të borxhit të raportuar dhe nuk përfaqësojnë detyrime reale financiare,” thuhet më tej në dokument.

Nga ana tjetër, megjithëse janë në likuidim, këto shoqëri zotërojnë një portofol të konsiderueshëm pasurish, përfshirë troje, ndërtesa industriale, fabrika, depo, objekte teknike dhe galeri minerare, të shpërndara në disa rrethe të vendit.

Sipas Ministrisë, vlera kontabël e aseteve tejkalon ndjeshëm vlerën e detyrimeve reale të pagueshme, duke krijuar potencial për shlyerjen e këtyre detyrimeve, nëse pasuritë administrohen dhe disponohen në mënyrë të unifikuar dhe efektive.

Në nenin 6 të projektligjit parashikohet krijimi i një shoqërie të re shtetërore me emrin “Operatori i Shoqërive Shtetërore” sh.a., e cila do të jetë shoqëria pasuese.

Aksionari i vetëm i kësaj shoqërie do të jetë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërsa kapitali fillestar dhe kostot e themelimit do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Shoqëria e re do të ketë si detyrë administrimin e të gjitha aseteve të transferuara, shitjen ose privatizimin e tyre sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim shlyerjen e kreditorëve. Po ashtu, ajo do të merret me arkëtimin e detyrimeve debitore, si dhe me sistemimin kontabël të detyrimeve debitore dhe kreditore të parashkruara.