
Tiranë, 30 janar 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar deklaratën e raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, i cili u shpreh se “demokracia me molotov nuk është e mirë, por as stabilokracia”, duke theksuar se duhet gjetur një mesatare e artë.
Gjatë një konference për shtyp nga selia e PD-së, Berisha u shpreh se nga Schieder dhe nga Brukseli pritej një qëndrim më i qartë në mbrojtje të standardeve europiane, veçanërisht në lidhje me çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, duke iu referuar rastit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
“Z. Andreas Schieder është një zotëri i nderuar. Mendoj se shqiptarët prisnin prej tij dhe presin jo vetëm prej tij, por nga Brukseli kërkesën për të mbrojtur standardin europian i cili edhe 12-13 vite më parë në këtë vend detyronte ministrat, për koincidencë edhe zv/kryeministrin, që kur Prokuroria kërkonte imunitetin, ai të dorëzohej para se të votohej në Parlament. Schieder, sikurse edhe zoti Gonzato, nuk e kanë kërkuar këtë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se dorëheqja apo heqja dorë nga imuniteti, kur drejtësia kërkon ndjekjen penale të një zyrtari, është jo vetëm standard kushtetues, por edhe etik dhe moral.
“Heqja dorë nga imuniteti kur drejtësia kërkon ndjekjen penale është në radhë të parë jo vetëm një standard kushtetues, si në Austri, në Shqipëri dhe Itali, por edhe një standard etik e moral shumë i rëndësishëm. Ai është një reporter që ka tagrin e paraqitjes së realitetit siç është në Bruksel. Por tek shteti ligjor dhe Kushtetuta të mos kemi dallime, popullorë apo socialistë”, shtoi kreu i PD-së.
Berisha u shpreh se respektimi i barazisë para ligjit dhe i standardeve europiane është thelbësor për procesin e integrimit dhe për funksionimin e një shteti të së drejtës.