Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet në Meksikë tumba 1,400-vjeçare


Arkeologët kanë zbuluar në jug të Meksikës një tumbë Zapotece 1,400-vjeçare, e zbukuruar me gdhendje komplekse dhe një skulpturë të bufit gjigant mbi hyrjen e dhomës së varrimit, një zbulim që autoritetet e quajnë si më domethënësin arkeologjik të dekadës së fundit.

Tumba, e vendosur në San Pablo Huitzo në shtetin Oaxaca, daton rreth vitit 600 dhe u ndërtua nga kultura Zapotece, sipas deklaratës së Institutit Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë të Meksikës (INAH).

Një detaj i veçantë është skulptura e kokës së një njeriu brenda sqepit të bufit, që mund të përfaqësojë individin e varrosur brenda dhomës, thonë arkeologët. Në pragun e dhomës së varrimit, janë gdhendur dy figura njerëzore që mbajnë artifakte, të cilët mund të kenë shërbyer si roje të tumbës.

Brenda dhomës së varrimit, muralet shumëngjyrëshe përshkruajnë një procesion njerëzish që mbajnë thasë me kopal, një rrëshirë e përdorur si temjan gjatë ceremonive rituale. Ngjyrat okër, e bardhë, e gjelbër, e kuqe dhe blu janë ruajtur jashtëzakonisht mirë, duke ofruar detaje të rralla mbi ritualet funerale Zapotece dhe sistemin e tyre të besimit.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, e cilësoi zbulimin si një nga më të rëndësishmit në dekadën e fundit për shkak të nivelit të jashtëzakonshëm të ruajtjes dhe informacionit që ofron, shkruan CNN.

Ndërsa Sekretarja e Kulturës, Claudia Curiel de Icaza, theksoi rëndësinë e tij për kuptimin e organizimit social, ceremonive funerale dhe besimeve të kulturës Zapotece, të cilat janë ruajtur përmes arkitekturës dhe muralëve.

Një ekip multidisiplinar nga INAH po punon aktualisht për mbrojtjen e vendit dhe kërkime të mëtejshme, duke stabilizuar muralet që ndodhen në gjendje të brishtë për shkak të rrënjëve të pemëve, insekteve dhe ndryshimeve të shpejta mjedisore.