Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Më në fund do të kemi stadium të ri dhe Bibliotekë Kombëtare moderne



Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në Konkursin Ndërkombëtar për projektin “Shtëpia e Re e Fëmijëve dhe Kompleksi i Inspektorateve Shtetërore”, ku foli për projektet e reja madhore që do të shënojnë zhvillimin urban dhe arkitekturor të vendit.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se Shqipëria do të ketë pas vitesh një stadium të ri me përmasa europiane, si dhe vepra të rëndësishme publike që, sipas tij, do të jenë pjesë e historisë së re të vendit.

“Do të kemi më në fund, pas vitesh, një stadium të ri të përmasave europiane, një vepër të denjë për historinë e re që po shkruajmë së bashku me arkitektët. Do të kemi Bibliotekën e re Kombëtare, një mjedis shumë të nevojshëm dhe një vepër të spikatur në historinë e vendit tonë dhe të arkitekturës bashkëkohore,” deklaroi Kryeministri.

Ai shtoi se projektet përfshijnë edhe ndërtimin e një kompleksi të ri zyrash për administratën shtetërore, ku do të akomodohen një numër i konsiderueshëm institucionesh, si dhe Pallatin e Ri të Sportit.

“Sot i hapim rrugë dy drejtimeve të reja për të ardhmen, duke krijuar kushte tërësisht të reja për fëmijët që janë në duart e solidaritetit të shoqërisë, jetimët, dhe njëkohësisht edhe për korpusin e ri të Inspektorateve,” u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si pikë referimi në botën arkitekturore, duke e cilësuar vendin si një “universitet të hapur” për arkitektët e rinj.

“Shqipëria është kthyer në një pikë referimi në botën arkitekturore. Jemi një universitet i hapur që u jep mundësi arkitektëve të rinj të bashkëpunojnë me mjeshtrat dhe studiot e mëdha, për të marrë dije dhe për të fituar përvoja që nuk i ofron asnjë praktikë pune,” përfundoi ai.