Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria ndërhyn te çmimet e plazheve, bashkitë do të caktojnë tarifat maksimale para sezonit turistik



Pas kritikave të vazhdueshme të Kryeministrit Edi Rama për çmimet e larta që kanë goditur turizmin gjatë 2–3 viteve të fundit, qeveria ka vendosur të ndërhyjë me masa më të forta rregulluese. Përmes një vendimi të ri, bashkive u jepet kompetenca për të përcaktuar çmimet maksimale për çdo stacion plazhi përpara nisjes së sezonit turistik.

Me këtë vendim, nuk do të ketë më tarifa të vendosura në mënyrë arbitrare nga subjektet private. Çmimet do të jenë të diferencuara sipas zonës dhe standardit të shërbimit dhe do të funksionojnë si kufi maksimal i pakalueshëm për operatorët privatë.

Sipas ndryshimeve në rregullore, Këshilli Bashkiak do të miratojë përpara çdo sezoni turistik çmimet maksimale për zonat bregdetare brenda territorit të tij. Në rast se këto vendime nuk miratohen në kohë, do të hyjnë në fuqi kontratat ekzistuese mes bashkive dhe subjekteve private, të cilat parashikojnë gjithashtu çmime tavan.

Subjektet që do të abuzojnë duke tejkaluar çmimet e lejuara do të përballen jo vetëm me gjoba, por edhe me humbjen e menjëhershme të së drejtës për të menaxhuar stacionin e plazhit.

Paralelisht, bashkitë do të krijojnë zona publike me pagesë të kontrolluar, me qëllim garantimin e aksesit të lirë dhe çmimeve të përballueshme për të gjithë pushuesit. Në plazhet publike të administruara nga bashkitë ndalohet kontraktimi apo delegimi i menaxhimit te subjektet private.

Një tjetër element i rëndësishëm i vendimit është detyrimi i bashkive për të publikuar përpara sezonit turistik një plan të detajuar për nivelin e lejuar të zhurmave në çdo plazh, i cili do të jetë i detyrueshëm për t’u respektuar nga të gjithë operatorët privatë.

Sa i përket dy prej zonave më të frekuentuara të jugut, Ksamilit dhe Dhërmiut, ku çmimet kanë tejkaluar çdo normë, Kryeministri Rama ka paralajmëruar se menaxhimi i plazheve do t’u kalojë bashkive përkatëse.