Vendosni fjalën kyçe....

Aksident ajror në Kolumbinë verilindore, humbin jetën 15 persona, mes tyre një kongresmen



Një avion i vogël pasagjerësh u rrëzua të mërkurën në verilindje të Kolumbisë, duke shkaktuar vdekjen e të 15 personave që ndodheshin në bord, përfshirë edhe një anëtar të Kongresit, njoftuan autoritetet për Euronews.

Sipas një deklarate të kompanisë ajrore shtetërore Satena, avioni humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror pak minuta pas ngritjes, rreth mesditës. Banorë të një komuniteti pranë zonës së aksidentit njoftuan autoritetet për vendndodhjen e mjetit fluturues, çka çoi në dërgimin e ekipeve të shpëtimit.

Ministria e Transportit e Kolumbisë konfirmoi më vonë se, pasi avioni u lokalizua në vendngjarje, autoritetet “me keqardhje konstatuan se nuk kishte asnjë të mbijetuar”.

Të dhënat e gjurmimit ajror tregojnë se transmetimi u ndërpre teksa avioni po fluturonte mbi një zonë malore mes komunave Ábrego dhe La Playa, një territor i vështirë për t’u aksesuar në provincën Norte de Santander.

Ministrja e Transportit, María Fernanda Rojas, bëri të ditur se ishin aktivizuar protokollet e emergjencës dhe se Autoriteti i Aviacionit Civil të Kolumbisë kishte nisur një hetim për humbjen e komunikimit.

Në bord ndodheshin dy anëtarë ekuipazhi dhe 13 pasagjerë, mes tyre edhe Diógenes Quintero, 36 vjeç, deputet i Dhomës së Përfaqësuesve për rajonin Catatumbo, bëri të ditur kompania ajrore. Quintero ishte një mbrojtës i njohur i të drejtave të njeriut në rajonin problematik kufitar me Venezuelën, prej nga ishte edhe vetë dhe ku ndodhi aksidenti. Me profesion jurist, ai u zgjodh në vitin 2022 si një nga 16 përfaqësuesit në dhomën e ulët për të përfaqësuar mbi 9 milionë viktima të konfliktit të armatosur disa-dekadësh në Kolumbi.

Partia e tij, U Party, shprehu dhimbjen për ndarjen nga jeta të Quinteros, duke e cilësuar atë si “një lider të përkushtuar ndaj rajonit të tij, me një vokacion të fortë shërbimi”.

Presidenti kolumbian Gustavo Petro reagoi në platformën X, duke shkruar: “Jam thellësisht i trishtuar nga këto humbje jete. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet. U prehshin në paqe.”