
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Indi këtë të mërkurë, ku zv.kryeministri i një prej shteteve më të rëndësishme federale të vendit, Maharashtra, ka humbur jetën në një aksident ajror, përcjell AP News.
Avioni privat me të cilin po udhëtonte zyrtari i lartë u rrëzua në një fushë të hapur në perëndim të Indisë, rreth 250 kilometra larg metropolit financiar të vendit, Mumbai. Sipas autoriteteve të aviacionit civil, mjeti shpërtheu në flakë menjëherë pas rënies dhe nuk pati asnjë të mbijetuar.
Bashkë me zyrtarin 66-vjeçar, në bord ndodheshin edhe dy anëtarë të stafit të tij dhe dy pilotët. Zyrtari po udhëtonte nga qendra financiare drejt zonës së tij elektorale për të marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet lokale.
Ndonëse pamjet televizive treguan mbetjet e avionit të mbuluara nga tymi, shkaqet e rrëzimit mbeten ende mister dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për një defekt teknik apo faktorë njerëzorë.
Viktima, Ajit Pawar, ishte një prej figurave më të fuqishme politike në rajonin perëndimor të Indisë dhe aleat kyç i Kryeministrit Narendra Modi. Ai mbante postin e dytë më të lartë në shtetin që drejtonte dhe njihej si një lider me ndikim të jashtëzakonshëm te votuesit në zonat rurale, veçanërisht në rajonet bujqësore që janë shtylla e ekonomisë vendase.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, reagoi menjëherë duke shprehur ngushëllimet për këtë humbje që e cilësoi si “tronditëse”. Ai e vlerësoi zyrtarin e ndjerë si një shërbëtor të përkushtuar të popullit, duke theksuar aftësitë e tij administrative dhe angazhimin për shtresat në nevojë. Kjo vdekje e parakohshme ka krijuar një krizë të papritur politike në prag të zgjedhjeve në rajonin ku ai ushtronte pushtetin.