Vendosni fjalën kyçe....

‘Përplasje’ mes socialistëve për buxhetin 2025/ Braçe: Propozimin tim e rrëzuat


Dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Taulant Balla, u përfshinë në replika gjatë seancës plenare në Kuvend, në diskutimet për aktin normativ të buxhetit.

Braçe ngriti shqetësimin se amendamenti i tij, i rrëzuar më parë nga Kuvendi, është rikthyer tani përmes aktit normativ të qeverisë dhe vuri në dyshim mënyrën se si duhet të votojë. Ai theksoi se fondet e mbledhura nga sigurimet duhet të shkojnë për pensionistët.

Nga ana tjetër, Taulant Balla u shpreh se akti normativ nuk mund të ndryshohet në seancë dhe duhet ose të miratohet, ose të rrëzohet, duke shtuar se po bëhen vlerësime për dëmet nga fatkeqësitë natyrore.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se çdo fond i pashpenzuar nga buxheti, deri në 30 miliardë lekë, do të transferohet në llogarinë e pensioneve.

Erion Braçe: Siç ju thash është tejkaluar plani i të ardhurave nga sigurimet dhe këto para që shkojnë tek pensionistët bëjnë mirë dhe do ishte mirë të shkonin atje. Si të votoj sot kryetar? Se është propozimi im i votuar kundër pak ditë më parë..

Taulant Balla: Jam dakord me shqetësimet që ngrihen për tu gjendur pranë banorëve, bujqve të prekur nga fenomenet natyrore, jam informuar se pushtet vendor dhe qeveria po bëjnë vlerësimin në territor të këtyre dëmeve, si përket aktit normativ që po shqyrtojmë, akti normativ nuk mund të ndryshohet dot sot, ai ose miratohet, ose rrëzohet.

Erion Braçe:Nuk kërkova ndryshim akti, thashë që amendamenti që u rrëzua me votë 5 javë më parë, është sjellë nga qeveria me akt. Dhe pyeta si duhet të votoj unë atëherë votava pro, të gjithë kundër, sot ca duhet të bëj, të votoj kundër?

Petrit Malaj: Nëse do jenë 30 mld të pashpenzuar, do kalojë 30 mld pranë llogarisë së pensioneve.